GUXO konsolidohet në Deçan, zgjedh një grua për kryetare të degës
Lista Guxo ka vazhduar konsiliumin e degëve të saj nëpër qytete të Kosovës.
Kjo parti dje ka mbajtur kuvendin themelues të degës në Deçan, ku për kryetare ka zgjedhur Rabije N. Haklaj.
Donika Gërvalla, e cila është njëra nga kryetarët e kësaj partie, e ka lavdëruar Rabije N. Haklaj
“Në një atmosferë plot hare dhe optimizëm, dje u mbajt kuvendi themelues i degës së Partisë Guxo në Deçan, i cili kryetare të degës zgjodhi zonjën Rabije N. Haklaj, një prej guximtareve të orëve të para, e cila me përkushtimin, dijen dhe punën e saj të palodhur është një prej shembujve më të mirë se çfarë është Partia Guxo. Në prani të dy kryetarëve, Faton Peci dhe Donika Gërvalla, të dy nënkryetarëve, njëkohësisht deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetarëve të degëve në Prishtinë dhe Prizren, Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli, të kryetares së degës së Lipjanit Gresa Bytyqi dhe kryetarit të degës së Istogut Naser Osmanaj, si dhe të mysafirëve nga Kosova dhe mërgata, delegatët e Kuvendit më pas zgjodhën edhe kryesinë dhe delegatët e degës së Partisë Guxo në Deçan”, ka shkrua Gërvalla në profilin e saj në “Facebook”.
Ndër të tjera, ajo ka treguar edhe vizionin e këtij subjekti politik.
“Partia Guxo, partia më e re politike në Kosovë, si parti me një vizion bashkëkohor për një Kosovë të fortë, të qëndrueshme, ekonomikisht të zhvilluar, me demokraci të gjerë, sundim të ligjit në çdo cep dhe shanse të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, duke u forcuar çdo ditë e më shumë, në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe komunale do të paraqesë një alternativë serioze politike për të gjithë ata që duan të ndërtojnë Kosovën e së nesërmes e jo të vajtojnë Kosovën e së djeshmes. Kuvendi i djeshëm në Deçan ishte një hap tjetër i rëndësishëm në këtë drejtim”, ka shkruar ajo.