Gucati: Vetëm në Kosovë mbi 80 mijë persona e kanë nënshkruar peticionin për ish-krerët e UÇK-së
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka treguar se mbi 83 mijë nënshkrime janë mbledhur deri më tani në kuadër të Peticionit Kombëtar të iniciuar nga OVL-UÇK që do t’i drejtohet Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai ka bërë me dije se nuk i kanë të dhënat rreth nënshkrimeve në Shqipëri, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.
Sipas tij, në mënyrë online e kanë nënshkruar mbi 26 mijë persona.
“Në bazë të informacionit që kemi, vetëm në Kosovë jemi mbi 83,000 nënshkrime deri në këto momente, do të thotë për nja afat tre javore, nëse s’gaboj aty diku. Pa llogaritur Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, por edhe diasporën. Në mënyrën online janë mbi 26,300, nëse s’gaboj... Duhet t’i falënderoj qytetarët e Shqipërisë edhe ata që po na ndihmojnë shumë atje. Kështu që po duket një interesim i madh, ne kemi afat edhe një muaj, do të thotë deri kah fundi i muajit prill. Kah fundi i muajit prill do t’i nisim për në Hagë, apo për ata që na i dërgojnë në Dhomat Speciale”, ka thënë Gucati për EO.