Gucati: Ju bëj apel gjitha shkollave në Kosovë, mos i pranoni zyrtarët e Speciales të bëjnë fushatë nëpër objekte shkollore - NACIONALE

Gucati: Ju bëj apel gjitha shkollave në Kosovë, mos i pranoni zyrtarët e Speciales të bëjnë fushatë nëpër objekte shkollore

2 javë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kundërshtuar veprimet e zyrtarëve të Gjykatës Speciale që të mbajnë ligjërata nëpër institucione shkollore të Kosovës.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se një gjë e tillë është e papranueshme.

Sipas tij, një veprim i tillë ka qenë befasi.

“Na ka ardhur befasi, sinqerisht nuk e kemi pritur që ndodh që një Gjykatë Speciale apo një Gjykatë që është e njëanshme, ju e dini që ajo është edhe një Gjykatë që nuk e kemi pranuar kurrë dhe nuk do ta pranojmë kurrë, që shkon dhe bën fushatë nëpër shkolla. Kjo ka ndodhur për herë të parë, unë nuk kam dëgjuar më herët, unë nuk e di se si drejtori i shkollës e ka pranuar ata përfaqësues të asaj gjykate që kanë shkuar dhe kanë bërë fushatë në shkolla. Ne nuk e dimë a kanë bërë fushatë anti-UÇK apo fushatë kundër UÇK dhe kundër pjesëtarëve të UÇK-së dhe kundër atyre që janë në Hagë, presidentit dhe të tjerët. Apo janë duke përgatitur një terren që ta bindin opinionin, ku tash kanë filluar që të shkojnë edhe te fëmijët dhe nëpër shkolla që dëshirojnë me i bind edhe fëmijët me i kthy kundër UÇK-së”, ka thënë Gucati.

Ai ka kërkuar nga drejtuesit e shkollave që në të ardhmen të refuzojnë hyrjen e zyrtareve të Speciales në shkolla.

“Janë duke përgatitur ndonjë terren, me siguri për ne është e papranueshme, ne e dënojmë si akt të tillë. Ju bëj apel gjitha shkollave në Kosovë që mos t’i pranojnë gjykatën speciale që të bëjë fushatë apo ligjërata nëpër shkolla tona në Kosovë askund. Është mirë kryetari i komunës që të marrë masa ndaj atij drejtori, nuk po them me suspenduar nga puna, larg asaj, por me marrë masa disiplinore ndaj tij, kënd e ka pyetur, kush i ka dërguar atij. Që të japë llogari edhe ai, sepse atij nuk i kanë pikur nga qielli, dikush e ka thirrur në telefon dhe i ka thënë le t’i pranojë përfaqësuesit e Gjykatës Speciale që të shkojnë në shkollën “Xhevdet Doda” me mbajt ligjërata apo me bërë fushatë në shkolla”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme