Gjyqtarët italianë ia ndalojnë përdorimin e internetit kosovares së dënuar për terrorizëm
Bleona Tafallari, vajza nga Kosova e dënuar me tre vjet e katër muaj burgim për nxitje në terrorizëm, do të përballet me një tjetër penalizim.
Tash e tutje ajo do ta ketë të pamundur përdorimin e internetit. Siç shkruan Sky, ky vendim ka ardhur për të eliminuar çdo eventualitet.
Tribunali i Milanos e ka marrë një vendim të tillë, pra mospërdorimin e internetit, respektivisht rrjeteve sociale, pasi ka vlerësuar se Bleona Tafallari përbën një rrezik për shoqërinë në rast të përdorimit të internetit.
Bleona
Tash e pesë muaj më parë, vajzës 20-vjeçe kosovare, Bleona Tafallari, i është shqiptuar masa e burgimit prej 3 vjet e 4 muaj, për nxitje të pjesëmarrjes në terrorizëm.
Me një jehonë të madhe u arrestua në nëntor të vitit të kaluar në Milano. Bleona Tafallari, ishte futur nën shënjestër të prokurorisë dhe organeve tjera italiane të rendit dhe sigurisë në qytetin e Milanos, aty edhe ku ishte rezidente.
Mbi të rëndonte akuza e rëndë e pjesëmarrjes në terrorizëm, respektivisht në grupin famëkeq ISIS.
Ky të paktën ishte qëndrimi i prokurorisë italiane, e cila kërkoi që ndaj vajzës 20-vjeçe, që njëherit identifikohej edhe si "luanesha e Ballkanit", të shqiptohej dënimi më i madh i mundshëm.
Arrestimi
Si erdhi deri te arrestimi dhe aktakuza për terrorizëm? Gjithçka u ndërlidh me sulmin terrorist që 21-vjeçari, Kujtim Fejzulai, shkaktoi dhe me ç'rast trazoi kryeqytetit austriak, Vienën, në nëntorin e vitit 2020, aty ku gjetën vdekjen katër persona të pafajshëm, para se policia ta qëllonte për vdekje edhe vetë sulmuesin.
Ndërlidhja ishte e pashmangshme, sepse përveç përgjimeve të shumta telefonike ku ajo ekzaltonte këto sulme terroriste, ndër të tjera me sulmuesin në fjalë, Kujtim Fejzulain, ishte edhe e martuar.
Sipas prokurorisë, vajza e re që nga adoleshenca kishte organizuar një rrjet të vazhdueshëm të propagandës, i cili shkonte në dobi të ISIS-it. Tërë kjo vinte duke përdorur rrjetet sociale si mekanizma të interaksionit. Glorifikimi i grupit terrorist që i bënte ajo, kishin shtyrë hetuesinë e Milanos që ta vinin në shënjestër të tyre.
Prokuroria insistonte që ajo së bashku me burrin e saj kishin organizuar mbledhje të ndryshme së bashku me të mitur tjerë, të cilët i nxisnin për të marrë pjesë në luftë, siç thuhej sipas konstatimeve të prokurorisë, "kundër armikut perëndimor".
