Gjykimi i krerëve të UÇK-së: Më shumë se 200 orë kohë vetëm për 12 dëshmitarët e parë - NACIONALE

Gjykimi i krerëve të UÇK-së: Më shumë se 200 orë kohë vetëm për 12 dëshmitarët e parë

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Më 3 prill edhe zyrtarisht do të fillojë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Hagës. Fillimisht do të thuhen fjalët hyrëse të Prokurorisë e mbrojtjes, e më pas do të vazhdohet edhe me dëgjimin e dëshmitarëve të parë.

Ashtu siç ka bërë të ditur Prokuroria e Specializuar në Hagë, do të jenë 12 dëshmitarë të cilët të parët do ta japin dëshminë e tyre para trupit gjykues. Identiteti dhe përmbajtja e dëshmive të tyre deri më tash nuk dihet.

Megjithatë ajo çfarë dihet është se dëshmia e 12 dëshmitarëve të parë në Gjykatën Speciale në rastin e krerëve të UÇK-së, do të zgjasë më shumë se 200 orë, raporton gazeta Nacionale.

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria e Specializuar nëpërmjet një parashtrese të dorëzuar te trupi gjykues. Në këtë kohë të kërkuar, përfshihet edhe koha e mbrojtjes për t’i marrë në pyetje dëshmitarët e Prokurorisë. Saktësisht për 12 dëshmitarët e parë, janë kërkuar 234 orë e gjysmë kohë.

“Koha totale e parashikuar për marrjen në pyetje të drejtpërdrejtë dhe të kryqëzuar të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga të katër të akuzuarit dhe avokatët e viktimave është gjithsej 234.5 orë. Nga ato orë, 63 janë vlerësuar për pyetjet e drejtpërdrejta nga Prokuroria, 170 janë vlerësuar për pyetje të kryqëzuara nga Mbrojtja dhe 1,5 janë vlerësuar për pyetje nga avokati i viktimave”, thuhet në këtë parashtrim.

Prokuroria ka bërë të ditur se në mesin e dëshmitarëve, disa do të flasin për krimet e pretenduara, disa për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e disa do të jenë edhe viktima që kanë gjithashtu rolin e dëshmitarëve. Në total Prokuroria ka kërkuar më shumë se 700 orë kohë për këtë proces gjyqësor.

Gjykata Speciale publikoi emrat e viktimave

Aktakuza me më pak redaktime e dorëzuar nga Prokuroria te mbrojtja, ka zbuluar edhe emrat e një pjese të madhe të viktimave. Duke ditur se deri më tash Prokuroria e Specializuar ka punuar me konfidencialitet tejet të madh, avokatët e juristët e vlerësuan si diçka për t’u habitur.

Nuk dihet arsyeja pse publikimi i aktakuzës me më pak redaktime është bërë publike menjëherë, e sipas avokatëve kjo nuk përkon me ambientin që e ka përshkruar vazhdimisht Prokuroria, për frikësimin e dëshmitarëve në Kosovë.

Në mesin e emrave të publikuar dje, ashtu siç ka raportuar edhe gazeta Nacionale, janë shqiptarë e serbë. Madje, për një pjesë prej tyre ish-liderë të UÇK-së si Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, ishin gjykuar nga Tribunali i Hagës.

Në rajonin e Drenasit viktimat që pretendohet janë vrarë janë: Emin Emini, Ibuzh Hamza, Hyzri Hajziri, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashit, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri, Hasan Hoxha dhe Ajet Gashi.

Ferizaj: Dimko Parliq, Rrahim Elezi, Riza Kiki, Faik Reci, Nezir Tropojani.

Gjakovë: Nenad Remistar, Skender Kuqi, Pal Krasniqi, Mirko Joviq, Dzemo Zuljiq.

Lipjan: Arben Avdyli, Ymer Xhafiqi, Sherafedin Ajeti, Veljko Markoviq, Nebojsa Gjuriqiq.

Fillimisht në nisje të aktakuzës tregohen pozicionet e secilit prej të akuzuarve në UÇK, dhe rolin e tyre gjatë kohës së luftës. E më pas tregohen për krimet të cilat krerët e UÇK-së akuzohet se i kanë kryer.

Megjithatë, një pjesë e këtyre viktimave të pretenduara, nuk është hera e parë që përmenden në rastet ku akuzohen pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Hajrizi, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri dhe Hasan Hoxha janë viktimat që Prokuroria i ka paraqitur për rajonin e Drenasit. Këta 9 viktima, pretendohet se janë vrarë në Malet e Berishës.

Në aktgjykimin e Limajt dhe të tjerëve në Tribunalin e Hagës, nuk ishte gjetur fajtor Limaj dhe Isak Musliu. Kjo pasi nuk kishte prova se të dy ishin përgjegjës për ndonjë veprim, apo në kuadër të zinxhirit komandues për kryerjen e këtyre krimeve.

Edhe Ramush Haradinaj ishte akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Madje, disa nga viktimat që përmendeshin në rastin e Haradinajt, sot janë zbuluar sërish se do të përdoren nga Prokuroria e Specializuar e Hagës.

Skënder Kuqi, Pal Krasniqi dhe Nenad Remistar përmenden si viktima të UÇK-së në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Të tre ishin përmendur gjithashtu në aktakuzën e Tribunalit të Hagës ku Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj e Idriz Balaj ishin shpallur të pafajshëm.

Lajme të ngjashme