Gjykatësja mungoi shkaku i një "urgjence", shtyhet seanca për vjedhjen e 2 milionëve nga Thesari
Çështja e vjedhjes së dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit ishte përdorur politikisht tash e një kohë të gjatë, duke pasur akuza e kundër-akuza. Sidoqoftë, të dyshuarit kryesorë për një vepër të tillë ishin zënë dhe procesi ndaj tyre ka filluar. Sidoqoftë, gjatë ditës së sotme një gjë tjetër e pazakontë në rrethana normale, por e zakontë për Kosovën, ka bërë vaki.
Gjykatësja Shadije Gërguri ka munguar në seancën e paraparë që të mbahej sot në rastin e të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.
Kjo ka bërë që seanca të shtyhej.
Sipas asaj që informon “Betimi për Drejtësi”, gjyqtari Arben Hoti kishte njoftuar se gjyqtarja Shadije mungonte për shkak të një “urgjence”.

Gjykatësja Shadije Gërguri
Seanca e radhës është caktuar pas dy javësh, më 13 qershor të vitit 2022.
Epilogu i këtij rasti ka një rëndësi të madhe publike pikërisht pas akuzave dhe kundërakuzave politike të bëra në vazhdimësi, e të cilat përmenden edhe sot.
Ministrja e asokohshme në Qeverinë Hoti II, Hykmete Bajrami, kishte deklaruar vazhdimisht se pikërisht ajo kishte lajmëruar mungesën e 2 milionëve në Thesar.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njohur me akronimin PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve qysh më 12 tetor të vitit 2021 në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në këtë aktakuzë thuhej se Gruda akuzohej për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe shpëlarje e parasë”.
Në anën tjetër, Kadri Shala akuzohej për veprat penale: “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë më tej thuhej se Labinot Gruda kishte kryer veprat penale që i ngarkoheshin në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën menaxher i tavolinës ndihmë për Sitemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve – Thesari i Shtetit.
“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e PSRK-së.

Labinot Gruda
Sipas aktakuzës, z. Gruda më datën 9 tetor 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare në emër të “LDA GROUP”, SH.P.K.
Më tej, Gruda ishte kyçur në SIMFK (shih domethënien më lart) dhe ia ka shtuar llogarisë së tij mundësinë e shtimit të klasës funksionale në sistem, me ç’rast ka regjistruar furnitorin “LDA Group” e më pas ka krijuar përdoruesit fiktivë përmes të cilëve ka ndërmarrë veprimet për qasje për urdhër-blerje, pranim malli dhe krijim kuponash të shpenzimit, si dhe ka ndërruar fjalëkalimin (passwordin) e përdoruesit ekzistues (Fadil Fazliu0 i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues në Ministrinë e Infrastrukturës, përmes së cilit ka certifikuar kuponët e shpenzimit për operatorin e lartpërmendur, e me këtë Thesari ka ekzekutuar pagesat në llogari të këtij operatori.