Gjoshi: Pushteti natën negocion me Vuçiqin për t'i amnistuar kriminalët, ditën i sulmon prokurorët
Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka kritikuar presidenten osmani, e cila ka thënë se prokurori që ka kërkuar ndryshimin e masës për ish-policin Dejan Pantiq duhet të jap sqarime.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se presidentja nuk ka të drejt të kërkojë sqarime nga një prokurorët e tyre.
“Merreni me mend, e quan veten juriste me doktoraturë, por për politikë ditore është e gatshme t'i shkelë të gjitha parimet mbi të cilat funksionon drejtësia në çdo vend normal e demokratik. Edhe pse juriste, bile e doktoruar në SHBA, ajo nuk e njeh parimin e ndarjes së pushteteve. Nuk e njeh sepse ajo dhe Albin Kurti e kanë shndërruar Kosovën në një vend jo-normal. Kushtetuta e Kosovës ia ka dhënë Presidentit 30 kompetenca. Asnjëra prej tyre nuk i jep fuqi që të kërkojë sqarime nga një prokuror”, ka shkruar Gjoshi.
Ai ka akuzuar pushtetarët se kanë bërë marrëveshje me Serinë për largimin e barrikadave.
“Por, meqenëse sjellja e tyre jo-normale është bërë normë, këta njerëz që natën negociojnë tinëzisht me Aleksandër Vuçiqin për t'i amnistuar bandat kriminale, ditën i drejtojnë shigjetat mbi prokurorë e gjyqtarë. Presidente, respekto parimet e formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit, nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës. Respekto këto parime sepse Profesori që ta ka dhënë doktoraturën mund të turpërohet nga ti”, ka shkruar ai.