Gjoshi i PDK-së: Kurti i përfshirë në skandalin e ambasadorit Berishaj, nuk guxon as të flas
Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka shprehur dyshime se edhe kryeministri Albin Kurti është i përfshirë në skandalin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se përfshirja e Kurtit është aq e thellë sa i pari i qeverisë nuk guxon të deklarohet për media.
“Heshtja e Kryeministrit Kurti të bënë të dyshosh se përfshirja e tij në skandalin e Martin e Berishës qenka aq e thellë sa nuk guxon as të deklarohet për media. Albin Kurtit po duket se po i sillet nëpër mend shprehja "heshtja është ari" sepse nuk i dihet kurrë cili do të jetë lajmi i radhës nga Sllovenia”, ka shkruar Gjoshi.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është kthyer serish në një figurë të njohur. Por jo për punën e bërë, sa për një skandal financiar në Slloveni, ku dyshohet të jetë përfshirë edhe ai. Në media është raportuar se dyshohet që skandali peshon 100 milionë euro, e ku përfshihet edhe Berishaj, i cili dyshohet se përfitoi 600 mijë euro nga filiali i GEN-It në Beograd.