Gjini i përgjigjet Kurtit: Takim po, por vetëm publikisht para kamerave - NACIONALE

Gjini i përgjigjet Kurtit: Takim po, por vetëm publikisht para kamerave

57 minuta më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka mbajtur të enjten një konferencë të jashtëzakonshme për media pas zhvillimeve në seancën e thirrur për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ai e cilësoi situatën politike si krizën më të rëndë institucionale që ka përjetuar vendi, duke akuzuar Albin Kurtin për uzurpim të pushtetit. Njëkohësisht, Gjini iu përgjigj kërkesave të Kurtit për takime politike, duke bërë të qartë se është i gatshëm të takohet vetëm në mënyrë publike.

"Situata politike ka mbërritur një moment që mundet me qenë më kritiku në historinë e Kosovës. Sot Kosova nuk ka as president, as u.d. të presidentit, nuk ka kryetar të Kuvendit as nënkryetar. Kosova nuk ka as kryeministër legal, as ministra legalë, vetëm një person që e ka uzurpuar pushtetin. Asnjëherë nuk na kishte shkuar mendja që Kosova mundet me ardhë në këtë pozitë," ka deklaruar Gjini.

Duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, ai tha se mbështetja elektorale që kishte marrë Albin Kurti ishte mundësuar nga presidentja Vjosa Osmani, me pritjen që ai ta mbështeste rizgjedhjen e saj në krye të shtetit. Sipas Gjinit, vendi po futet në një krizë të panevojshme dhe pa logjikë shtetformuese.

"Duhet me thënë se nuk ka emër tjetër kjo situatë pos grusht shtet i brendshëm, që realizohet prej njerëzve të cilët në mënyrën më brutale e shfrytëzojnë legjitimitetin e brishtë për me i uzurpu institucionet. I kam paralajmëruar qytetarët e Kosovës që kjo mundet me ndodhë. Pse ia bën këtë Kuvendit të vet, popullit të vet, atij populli që e voton? Këtë nuk mundem me kuptu," u shpreh ai.

Gjini rikujtoi gjithashtu ofertën me gjashtë pika që, sipas tij, Aleanca ia ka bërë Lëvizjes Vetëvendosje për të ndihmuar në krijimin e institucioneve, duke theksuar se kërkesat e partisë së tij nuk kanë qenë të natyrës partiake apo personale, por kanë të bëjnë me projekte strategjike për vendin.

"Ato nuk kanë kuptuar në asnjë rast që po kërkojmë diçka për vete, e kemi bërë të ditur dhjetëra herë. Nuk ka njeri në Kosovë që nuk e di çka po kërkojmë. Po kërkojmë që me u nënshkru marrëveshja për gazin... Është hera e 40-të që e përsëris, nuk kemi marrë përgjigje për to. A do me i kry këto rrugë, a do me pas energji të prodhuar në Kosovë?" pyeti Gjini.

Në konferencë, kreu i AAK-së kritikoi edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ata nuk kanë hapësirë për debat apo vendimmarrje brenda subjektit të tyre politik.

"Një parti që i ka fitu zgjedhjet, është shndërruar në një parti ku s’ka as debat, as pyetje, as shtjellim të ideve, po ka vetëm njerëz që e ngrisin dorën. Mu më vjen keq për ta," tha ai, duke shtuar se personi që po zhvillon pazare politike në dëm të vendit është vetë Albin Kurti. "Ish-kryeministri në detyrë ishte në Greqi, derisa ne ishim duke i nxjerrë pikat për me gjetë zgjidhje. Duhet me ja përkujtu që pas zgjedhjeve ka gjetë kohë me shku në konferenca me Papandreun, ne jemi të brengosur seriozisht."

Gjini u bëri thirrje edhe zyrtarëve civilë që të tregojnë kujdes me vendimet dhe dokumentet që nënshkruajnë, duke pretenduar se institucionet aktualisht po funksionojnë jashtë kornizës ligjore.

"Legalisht këta njerëz nuk do të duhej me hy në zyre. Gjithë ata zyrtarë civilë që nënshkruajnë dokumente që vijnë me urdhëresë të këtyre personave, kanë me u përgjegj. Gjithçka që ndodh në Kosovë është e paligjshme... Ne nuk e kemi plan me u bë pjesë e këtij maskarallëku. Nuk dojmë me qenë pjesë e qeverisjes. Nuk ka qytetarë që nuk e dinë që dy partitë që po negociojnë i kanë votat me zgjedhë edhe presidentin edhe qeverinë. Nëse kanë probleme të natyrave tjera, atëherë nuk është fare përgjegjësi e Aleancës."

Në përfundim të konferencës, Gjini iu përgjigj drejtpërdrejt ftesave të Albin Kurtit për takim, duke deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takime të mbyllura dhe se është i gatshëm vetëm për një debat publik.

"Nuk kemi çka me u taku nëpër zyra të mbyllura. E kisha taku Albin Kurtin në debat, me na pa populli i Kosovës gjithë çka po flasim. Me kamera, le ta zgjedhë studion, gazetarin, televizionin, publikisht kohën. Krejt populli le të na dëgjojë çka po i thojmë njëri-tjetrit. Nuk kemi çka me u taku privat, le të zotohet publikisht që ka me punu për qytetarin e Kosovës. Në atë takim, kam me ja bë qato gjashtë pyetje. Kur të dojë publikisht! Një njeri që i fiton zgjedhjet me 'Lule Egjelin', me krejt ata që janë sulur tash pas Aleancës... Unë mburrem që jam Aleancë, e asaj Aleance për Ardhmërinë e Kosovës që e ka shkurtu emrin e vet, edhe po mburrem që jam kryetar i Gjakovës, edhe që i kam pas gjithë ato pozita. Mburrem që kam qenë nënkryetar i Aleancës. Unë nuk kam qenë asnjëherë zëvendës i Rikallos!" përfundoi Ardian Gjini.

Lajme të ngjashme