Gjini i bindur se Kurti nuk po kërkon rrugëdalje nga ngërçi: Ia hoqëm nga tavolina pazarin klasik, sërish na refuzoi - NACIONALE

Gjini i bindur se Kurti nuk po kërkon rrugëdalje nga ngërçi: Ia hoqëm nga tavolina pazarin klasik, sërish na refuzoi

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e mban të bllokuar rrugën drejt zgjedhjes së presidentit edhe përballë ofertës që ia heq nga tavolina pazarin klasik për poste dhe pushtet.

Sipas tij, Kurti po refuzon kompromis përmes të cilit do të mund t’i siguronte votat që vetë nuk i ka, ndërsa tha se Aleanca, në vend të ministrive, ambasadave apo privilegjeve politike, kërkon vetëm realizimin e një sërë projektesh dhe politikash në interes të qytetarëve.

“Ne i kemi thënë që nuk po dojmë as poste ministrore, as ambasadorë, as zëvendësministra… Kurrgjë nuk po dojmë. Nuk po dojmë me marrë pjesë në ndamje të asaj që duhet torta e pushtetit”, deklaroi Gjini.

Ai rikujtoi pikat e ofertës së AAK-së për ngritjen e pragut të TVSH-së, heqjen e taksës për bujqit që punojnë tokën, përfundimin e projekteve infrastrukturore dhe realizimin e projekteve energjetike, me synimin që Kosova të mos blejë energji nga Serbia.

Sipas Gjinit, Aleanca ka të drejtë t'i vendosë këto kërkesa pasi Kurti nuk i ka vetë votat e mjaftueshme.

“Ne e kemi marrë një numër të caktume të votave dhe të deputetëve. E ky nuk i ka. Nuk i mjaftojnë të vet. Normal që ne kemi me i tregu çfarë po lypim”, tha ai.

Gjini e quajti qasjen e Aleancës “të paprecedentë në historinë e Kosovës”, pikërisht për faktin se, sipas tij, partia nuk po kërkon pjesë nga pushteti, por zotime konkrete.

Ai tha se Kurti, në kushtet kur nuk i ka votat e mjaftueshme, duhet të bëjë kompromis me subjektet votat e të cilave i nevojiten.

“Nëse nuk i ke votat e mjaftueshme, duhet të bësh kompromis me mu”, deklaroi Gjini.

Sipas tij, ekzistojnë dy forma të një kompromisi të tillë: ndarja e posteve qeveritare ose pranimi i kërkesave programore të një partie që nuk kërkon të hyjë në Qeveri.

“Janë dy lloje të kompromiseve: ose ia jep një partie 3-4-5 apo 6 ministri, ose një parti nuk po t'i do fare ato ministri dhe po të thotë: ‘Kryj qeto punë’ dhe i ke votat e mia”, tha Gjini.

Pikërisht këtë alternativë, tha ai, Aleanca ia ka ofruar Kurtit, por ai nuk e ka pranuar.

“Ka refuzu me bë një gjë të tillë!”, deklaroi Gjini.

Gjini e lexoi refuzimin e ofertës së Aleancës si refuzim të një rruge konkrete kompromisi për sigurimin e votave që Kurtit, sipas tij, i mungojnë për procesin e zgjedhjes së presidentit. Ai insistoi se Aleanca nuk po kërkon të bëhet pjesë e pushtetit, por që votat e saj të lidhen me realizimin e projekteve konkrete.

“Nëse duhet me marrë pjesë në votim, atëherë i kemi disa kushte të cilat shkojnë ekskluzivisht në interes të qytetarit të Kosovës”, tha Gjini.

Lajme të ngjashme