Gërvalla i fton ndërkombëtarët të dënojnë gjuhën e Vuçiqit: Hipokrizia e tejdukshme
Kryediplomatja, Donika Gërvalla ka reaguar pas konferencës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ku ky i fundit shpalosi disa kërkesa ndaj Kosovës.
Gërvalla ka thënë se Vuçiq gjatë konferencës tregoi se nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare.
Ajo tutje ka thënë se Vuçiq ëshë duke kërkuar kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve.
“Tani, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë tashmë nuk mund të luajnë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve.”
“Loja sistematike e Serbisë me serbët në Kosovë, presioni deri në ushtrim të hapur të dhunës përmes strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, keqpërdorimi dhe vjedhja masive e fondeve, të cilat kinse ndahen për ta, pengimi i integrimit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, serbëve në veri dhe familjeve të tyre ua ka vështirësuar jetën për vite të tëra.” – ka shkruar Gërvalla.
Ajo tutje ka thënë se presidenti serb synon përfitime edhe më të larta për veten dhe klanet rreth tij nga fondet në emër të serbëve të Kosovës, duke përmendur vilën e kryeterroristit Radojiçiq, ku ka thënë se është ndërtuar me para të ndara gjoja për serbët lokal.
“Përmes shpalljes së djeshme teatrale të Kosovës si zonë të veçantë sociale, Vuçiçi synon përfitime edhe më të larta për veten dhe klanet rreth tij nga fondet në emër të serbëve të Kosovës. Që transparenca e këtyre fondeve është zero dhe keqpërdorimet janë masive, mjafton të shohësh vilën luksoze të Radojçiçit tek Ujmani, e cila është ndërtuar me para të ndara gjoja për serbët lokal.” – ka shkruar ajo.
Tutje ajo ka shkruar se, Vuçiq synon ngritja e tensioneve, cenimi i sovranitetit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ndër të tjera, Gërvalla ka thënë se synimi i Vuçiqit është mbajtja gjallë e tensioneve në rajon, pengimi i proceseve integruese, në sinkron të plotë edhe me interesat e Rusisë.
“Deklarata e tij për kinse shpalljen si të paligjshme të të gjitha organeve të institucioneve në Kosovë, është përpjekje e dëshpëruar për të sabotuar Pavarësinë e Kosovës. Synimi është pengimi i normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, mbajtja gjallë e tensioneve në rajon, pengimi i proceseve integruese, në sinkron të plotë edhe me interesat e Rusisë.”
“Kosova, si shtet sovran dhe i pavarur, me territor të mbrojtur dhe integritet territorial të pacënueshëm, si shteti me demokracinë më të konsoliduar në rajon, si vendi me rritjen më të lartë ekonomike në rajon, si shteti i qytetarëve të saj, sot është më e fortë se asnjëherë më parë.”
Gërvalla ndër të tjera i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të dënojnë gjuhën agresive dhe armiqësore të Vuçiqit.
“Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiçit karshi Republikës së Kosovës.”