Gërvalla e GUXO feston 14 shkurtin e fitores së VV-së: U votua kundër eksperimenteve me sovranitet
Kryetarja e parë ose e dytë e partisë më të re në Kosovë “Guxo”, Donika Gërvalla-Schwarz, ka festuar dy-vjetorin e fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurti 2021, duke thënë se në ato zgjedhje u votua kundër eksperimenteve me sovranitet.
Në shkrimin e saj në Facebook, Gërvalla ka përmendur disa nga të arriturat e Qeverisë Kurti teksa ka sulmuar opozitën.
“Më 14 shkurt 2021, qytetarët e Republikës së Kosovës, të rinj e të moshuar, gra dhe burra, në Kosovë dhe në mërgatë, në një referendum të vërtetë me votën e tyre masive zgjodhën ndryshimin dhe votuan kundër keqqeverisjes, sidomos të dekadës së fundit, korrupsionit dhe krimit të organizuar, degradimit të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, nepotizmit, punësimeve të paligjshme, degradimit të imazhit të Kosovës në skenën ndërkombëtare, qorrsokakut të rrezikshëm në dialogun me Serbinë, eksperimenteve të rrezikshme me sovanitetin e vendit e deri tek idetë për shkëmbime territoresh dhe ndryshime kufinjsh.” – ka shkruar ndër të tjera ajo.
Shkrimi i plotë i saj:
Më 14 shkurt 2021, qytetarët e Republikës së Kosovës, të rinj e të moshuar, gra dhe burra, në Kosovë dhe në mërgatë, në një referendum të vërtetë me votën e tyre masive zgjodhën ndryshimin dhe votuan kundër keqqeverisjes, sidomos të dekadës së fundit, korrupsionit dhe krimit të organizuar, degradimit të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, nepotizmit, punësimeve të paligjshme, degradimit të imazhit të Kosovës në skenën ndërkombëtare, qorrsokakut të rrezikshëm në dialogun me Serbinë, eksperimenteve të rrezikshme me sovanitetin e vendit e deri tek idetë për shkëmbime territoresh dhe ndryshime kufinjsh.
Fitorja historike e 14 shkurtit 2021, më shumë sesa fitore e partive politike të koalicionit qeverisës, është meritë dhe fitore e të gjithë qytetarëve të Republikës dhe model për të gjitha vendet e rajonit.
Fitorja e 14 shkurtit 2021 ka sjellë dhe vazhdon të sjellë frytet e saj. Por njëkohësisht e dijmë që ka ende shumë për të bërë. Në ekonomi, energji, në punësim sidomos të të rinjve, arsim e shëndetësi, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë, në krijimin e një perspektive shumë më të mirë për të rinjtë dhe familjet e reja në Kosovë, në më shumë drejtësi dhe barazi për qytetarët tanë, në një përfshirje më të gjerë dhe më efektive të potencialit të mërgatës sonë në të gjitha proceset e rëndësishme në Kosovë, në forcimin dhe përmirësimin e diplomacisë sonë, në reformat e domosdoshme institucionale, rritjen e standarteve të demokracisë, transparencës dhe efikasitetit në qeverisjen tonë.
Sundimi i ligjit në çdo cep të vendit, sovraniteti i vendit dhe reformat e thella janë busulla e fitores së madhe të 14 shkurtit 2021. Mbetet të vazhdojmë të punojmë çdo ditë, me vullnet dhe përkushtim, guxim dhe besnikëri për realizimin e premtimit të 14 shkurtit për një Kosovë më demokratike të të gjithë qytetarëve të saj. Hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë, edhe shumë të tjerë do të pasojnë.
