Gazmend Halilaj në Guxo: Donika Gërvalla mbrëmë iu shmang pyetjes kryesore, Albulena Haxhiu lyp ‘kamera para drejtësisë’
Aderimi i avokatit Gazmend Halilaj në listën Guxo të Donika Gërvallës dhe Faton Pecit, ka ngritur shqetësime në publik, për shkak të dyshimeve rreth implikimit të tij në një prej rasteve më të rënda dhe tronditëse në vitet e fundit në Kosovë, abuzimin seksual me një të mitur në Drenas. Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e saj të vegjël të koalicionit si Lista Guxo, në vazhdimësi kanë kryer ‘gjyqe publike’ -në shumë raste në vend, ani pse të natyrave të ndryshme si për shembull ato korruptive (Pronto, sic!) – por kur vjen fjala te ‘të sapoaderuarit’ në këto parti - fjalën ia lënë ‘drejtësisë’, ‘ligjit’, ‘neneve’, ‘procedurave’…Kështu vepruan Donika Gërvalla – njëra nga kryetaret e partisë Guxo në intervistën e fundit në KTV dhe para saj, edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në janar të këtij viti, Gjykata e Apelit i ka liruar të gjithë të akuzuarit në rastin tronditës të keqpërdorimit seksual të një të miture në Drenas. Tani fjalën do ta ketë Supremja – në rast se do ta rikthejë krejt çështjen në rigjykim.
Pavarësisht kësaj ‘hapësire kontestuese’ që i takon drejtësisë, një ditë prej ditësh, në partinë Guxo aderoi avokati Gazmend Halilaj.
Reagimet e shumta shqetësuese të një pjese të opinionit publik rreth këtij emri, u formuluan mbrëmë në një seri pyetjesh në emisionin Interaktiv të KTV-së, ku gazetari Eraldin Fazliu e ballafaqoi njërën nga kryetaret e partisë Guxo me një pyetje mjaft të thjeshtë: në rast se Supremja e kthen rastin në rigjykim, si do të veprojë kjo parti me ‘të sapo aderuarin e saj’.
“Rigjykimi nuk është vendim. Nga bisedat me të, kam zhvilluar bindjen se është ashtu si thotë ai” – thotë Donika Gërvalla.
Ajo thur lavde për avokatin Haliaj, për siç thotë se është ‘një profil i theksuar’.
“Sa i përket avokatit që përmendët, ka një profil shumë të theksuar. Është person që asnjëherë nuk ka hezituar të flaës një gjuhë të qartë në public. Ka paguar një cmim shumë të lartë për prononcimet e tij. Është ballafaquar edhe me drejtësinë dhe në fund drejtësia i ka dhënë të drejtë” – thotë Donika Gërvalla.
“Por vepra është shumë e rëndë” – këmbëngulte gazetari Fazliu në pyetjen se si do të vepronte Guxo në rast se Supremja do ta kthejë rastin në rigjykim dhe mori përgjgjen më lart të Donika Gërvallës, atë se ‘rigjykimi nuk është vendim’.
“…Por jemi shtet ligjor, por deri në atë moment kur fajësia e dikujt faktohet, personi konsiderohet i pafajshëm” – i thur lavde Gërvalla sistemit të drejtësisë në vend.
Meqë KTV, në dy emisionet qendrore të politikës, i kishte të ftuara Donika Gërvallën dhe Albulena Haxhiu, edhe kjo e fundit u pyet për këtë temë me këmbëngulje rreth tri orë më herët se Gërvalla.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, znj.Haxhiu, kërkon që edhe pyetjet që kemi rreth kësaj teme, me gjithë kamera, t’i dërgojmë te institucionet e drejtësisë. Pavarësisht se ishte një nga zërat më të qartë që dënonte krimin që kishte ndodhur në Drenas – dhe që kishte tronditur vendin – meqë implikoheshin një sërë personash, ajo tani ka një përgjigje, të vakët – si më poshtë:
“Zoti Halilaj është anëtarësuar në partinë Guxo dhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Unë pashë pjesë nga vendimi që janë shpallur të pafajshëm. Mendoj se nëse ka prova, jo vetëm zoti Halilaj, kushdo tjetër që ka qenë pjesë e rastit, rasti ka qenë publik, kam reaguar si minister e drejtësisë, nëse ky vendim i gjykatës është i pabazuar në prova – atëherë të shihet kush janë trupi gjykues, ne e dimë kush janë trupi gjykues. Për sa kohë e shoh një vendim i tillë, e kam shumë të vështirë të përgjigjem sikurse në një rrethanë tjetër. Edhe pyetjet edhe të gjitha kamerat të drejtohen pranë institucioneve të drejtësisë. Ka pasur diskutime gjatë këtyre dy ditëve rreth (Aktgjykimit). Jam duke pritur vendimin e Gjykatës, se ku është bazuar vendimi i Gjykatës. E kam tepër të vështirë sepse kur po reagoj po më thuni mos ndërhyj në drejtësi, kur nuk po reagoj po thuni pse s’po reagoj. Neve na vjen para një vendim që janë shpallë të pafajshëm”, tha Albulena Haxhiu në Konfront.
Disa të dhëna – të përmbledhura së fundmi nga gazetarja Saranda Ramaj – rreth Rastit në Drenas:
-13 korrik 2012 - Hyn në fuqi Kodi Penal i Kosovës nr. 04/L-082, i cili përfshinte Nenin 239: “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”.
-14 janar 2019 - Hyn në fuqi Kodi i ri Penal nr. 06/L-074, i cili nuk e përfshin më këtë vepër penale në përmbajtjen e tij. Neni 239 shfuqizohet.
-Tetor 2019 - Prokuroria Themelore në Prishtinë ngre aktakuzë ndaj disa të akuzuarve për veprën nga Kodi i vjetër, ndonëse ai nuk ishte më në fuqi.
-2020-2024 -Gjykata e shkallës së parë dy herë i shpall fajtorë të akuzuarit për keqpërdorim seksual përmes pozitës dhe i dënon.
-21 janar 2025 - Gjykata e Apelit i liron të gjithë të akuzuarit për ketë vepër. Kjo sepse vepra penale nuk ekziston më në Kodin aktual, dhe se duhet aplikuar ligji më i favorshëm për të pandehurin.
-Pas janarit 2025 - Prokuroria ushtron ankesë në Gjykatën Supreme.
“Pra rezultati është një e mitur që ka denoncuar dhunimin por asnjë përgjegjës i ndëshkuar”, shkroi së fundmi gazetarja Ramaj.