“Gazifikimi i qymyrit” – dhelpëria e Kurtit për t’i thënë JO Amerikës - NACIONALE

“Gazifikimi i qymyrit” – dhelpëria e Kurtit për t’i thënë JO Amerikës

3 javë më parë

nga Col Mehmeti

Përgjatë gjashtë viteve në pushtet, Kurti i ka mëshuar shkelm cilido projekt investues amerikan me anë të të cilit Kosova do të pavarësohej energjetikisht. Alternativa e tij për ‘gazifikim të qymyrit’ nuk duket serioze për një dorë arsyesh. Kur Vetëvendosja e kishte përzënë projektin amerikan për ‘Kosovën e Re’, ajo zinte në gojë edhe arsyet për ndotjen e mjedisit. Këtë e kishte bërë pavarësisht dorëzanisë së amerikanëve që siguronin se me teknologjitë e reja nuk do të kishte një rrezik të tillë. Përkundrazi, vetë ideja e Kurtit për ‘gazifikim’ të qymyrit, nëse do të realizohej ndonjëherë, do të kishte ndikim të tmerrshëm në mjedis, do të liroheshin gazra të helmëta dhe do të tendoseshin burimet e pakta ujore. Vetëvendosja ka hapur edhe një front të ri antiamerikan, ku përmes ‘emisarëve’ të saj po përpiqet të sabotojë një investim amerikan në Shqipëri.

10 qershor 2026 – Vetëm me tre rreshta tekst është përmbledhur vizioni i Lëvizjes Vetëvendosje për ‘transformimin’ ekonomik dhe industrial të Kosovës.

I renditur si një nga zotimet e Albin Kurtit për mandatin e ri qeverisës, i ashtuquajturi gazifikim i qymyrit është shpalosur si plan më i mençur sesa oferta amerikane për projektin e gazit të lëngshëm.

Mandati i ri është mandati i transformimit të madh ekonomik dhe industrial të Kosovës. Mandati i prodhimit, i zhvillimit dhe i vetëqëndrueshmërisë. Investime strategjike në sektorin minerar, në kapacitetet energjetike dhe në gazifikimin e qymyrit, si bazë e zhvillimit industrial dhe e sigurisë energjetike të vendit. Shtet që prodhon, ndërton dhe fuqizohet nga puna e vet”, thuhet në programin e VV-së që është afishuar në faqen e saj zyrtare.

Me po të njejtën përciptësi shpjegimi, Kurti e ka reklamuar këtë ide edhe në paraqitjet e tij të rralla televizive.

intervistën e fundit për Kanal10, ai bëri me dije se Qeveria e tij është e “interesuar për gazifikimin e qymyrit tonë që është në sipërfaqe”.

“Gazifikimi i qymyrit”, disa arsye pse i ngjan mashtrimit

Por nëse i nënshtrohet një shtjellimi të përgjithshëm, gazifikimi i qymyrit nuk është as për së afërmi përgjigjja për sfidat gjithnjë e më të mprehta të (pa)varësisë energjetike.

Madje ka arsye të themelta të besohet se gazifikimi i qymyrit është ide blof që shpaloset vetëm për ta arnuar imazhin e Qeverisë si refuzuese e rreptë e çdo projekti amerikan në rajon.

I shpjeguar thjeshtësisht, gazifikimi i qymyrit paraqet një avancim të përdorimit të kësaj lënde në përputhje me standardet bashkëkohore të ekologjisë.

Një mori vendesh me traditë të prodhimit të rrymës nga qymyri kanë vënë në përdorim edhe gazifikimin e tij për të siguruar pavarësi energjetike.

Gazifikimi i qymyrit nënkupton procesin termo-kimik me anë të të cilit përmes nxehtësisë dhe trysnisë qymyri kalon në përbërës kimik.

Kështu, gazi i përfituar sintetik (syngas) ka përbërje nga monoksidi i karbonit dhe hidrogjeni.

Megjithatë, gazifikimi i qymyrit nuk vie pa një kosto problematike.

Gjatë procesimit të qymyrit në gaz lirohen gazra të helmëta, përfshirë dioksid karbonin, dioksiod sulfurin, oksidin e nitrogjenit, dhe merkurin.

Gazifikimi i qymyrit kërkon njashtu sasi të mëdha të ujit që në prapakthim mund t’i vërë në vështirësi burimet lokale të ujit.

Për këtë arsye, shumë qeveri shpesh vihen në mëdyshje serioze përballë ideve të tilla, ku procesi në tërësi ka një kosto mjaft të shtrenjtë.

Dëmi mjedisor nga gazifikimi i qymyrit është gati i njejtë, e ndonjëherë edhe më i theksuar sesa përdorimi ‘tradicional’ i qymyrit për prodhim energjie.

Doktrina namkeqe e VV-së kundër investimeve amerikane

Me ‘gazifikimin e qymyrit’, që nuk është shkoqitur fare si projekt, partia e Albin Kurtit po e krijon përshtypjen sikur në tavolinë ka plane për të ardhmen energjetike të vendit.

Qysh në vitin e parë të Vetëvendosjes në pushtet, ish-kryeministri Albin Kurti i mëshoi shkelm ndërtimit të projektit të rrjetit të gazit natyror, i ndryshequajtur Gazsjellësi Transadriatik (TAP), që gëzonte edhe mbështetjen e ShBA-së.

Po të pranohej projekti në fjalë, gazi natyror përmes 100 kilometrave tubacion do të vinte deri në Kastriot prej terminalit grek në Egje, Alexandroupolis.

Po kështu, Qeveria Kurti e shkatërroi përfundimisht mundësinë e të vetmit investim të rëndësishëm amerikan, siç ishte projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e re’ nga kompania amerikane ‘Contour Global’.

Shkëputja e kontratës ishte cilësuar si alamet arritje nga Kurti, megjithëse Qeveria e tij u detyrua të paguante 21 milionë euro pasi Kosova humbi arbitrazhin në tetor të vitit 2023.

Nuk u shmang se nuk u shmang kurthi rus

Kur ishte krijuar kauza kundër projektit amerikan për ‘Kosovën e Re’, Vetëvendosja, mediume të caktuara e aktivistë mjedisorë alarmonin se gjoja termocentrali i ri do të kishte ndikim negativ në mjedis.

Së fundmi, mediumi VOX Kosova dhe gazetari Lirim Mehmetaj kanë rikthyer në vëmendje aspekte të panjohura për sa i përket investimit amerikan të cilin Vetëvendosja e dëboi nga vendi.

Në një adresim në Senatin Amerikan më 2019, ish-zëvendësndihmësi i Sekretarit të Byrosë për Çështje Evropiane e Euroaziatike, Mattew A. Palmer, kishte thënë se projekti për ‘Kosovën e Re’ ishte në interes kombëtar të ShBA-së.

Sipas tij, Kosova kishte mundësinë t’i shmangej alternativave energjetike me origjinë ruse.

Palmer, po ashtu, kishte theksuar se ‘Kosova e Re’ do të ndërtohej me teknologjitë më të reja dhe se mjedisi nuk do të dëmtohej.

Edhe një mundësi për ta zënë trenin e fundit

Sidoqoftë, ambasada e ShBA-ve këtyre ditëve sërish ka dhënë shpresë se Kosova mund t’i bashkohet projektit të gazit të lëngshëm natyror që vjen nga ShBA.

Sipas sugjerimit amerikan, ky projekt duhet të vihet në jetë urgjentisht në mënyrë që të shmanget varësia nga Rusia.

Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë”, thuhej në njoftimin e ambasadës amerikane të lëshuar më 4 qershor.

Cilado vonesë, sipas paralajmërimit të ngarkuarës me punë në ambasadën amerikane Anu Prattipati, do ta linte Kosovën si të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka qasje në projektin e Gazit të Lëngët Natyror (GNL).

“[…] Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka në dispozicion mekanizma financimi për të ndërtuar infrastrukturë të gazit natyror. Kosova mund të punojë me partnerët rajonalë për të siguruar kontrata afatgjata dhe ekonomi të shkallës me çmime më konkurruese”, thuhej në njoftimin e fundit të ambasadës amerikane.

Mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet. Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan. Historia nuk mund të qëndrojë në rrugë të vendimeve që do t’i sjellin përfitime popullit të Kosovës sot dhe në të ardhmen”.

Një front i ri antiamerikan

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka fare pak të ngjarë që do ta zërë trenin e fundit për t’u bërë pjesë e projektit ku i gjithë rajoni përfiton nga gazi amerikan.

Jozyrtarisht, militantë të kësaj partie kanë hapur edhe një front tjetër antiamerikan

Në dritën e protestave të fundit në Tiranë ku po kundërshtohet investimi i paralajmëruar amerikano-kataras në Zvërnec, Vetëvendosja ka nisur ‘emisarë’ të saj në Tiranë për të nxitur një valë antiamerikane.

Përndryshe, Kosova e këtyre viteve ka shënuar një nga kapitujt më të errët të stagnimit ekonomik.

Sipas një matje të bërë së fundmi nga ‘World Atlas’, ajo është vendi i dytë më i varfër në Evropë.

Po kaq e pashpresë është gjendja edhe sa u përket investimeve të jashtme, ku Kosova me Bosnjën janë të vetmet në Ballkanin Perëndimor që mbesin prapa vendeve fqinje. /Nacionale/

Lajme të ngjashme