Gazetarja Rama thotë se spitalet po përpallen me mungesë të disa barnave, ShSKUK e mohon një gjë të tillë
Gazetarja Saranda Rama ka bërë me dije se QKUK-ja dhe spitalet rajonale po përballen me mungesë të disa barnave.
Ajo ka treguar se në këto spitale nuk ka glukozë, vitaminë C, diklofen dhe dexason ampula.
“Pra, për momentin në QKUK dhe Spitalet Rajonale nuk paska as glukozë, as vitaminë C, as diklofen e dexason ampula, as kanilla e sisteme për infuzion, e as disa lloje të barnave për të sëmurët me kancer (kjo sipas faturave të blerjeve nga qytetarët). A ka mundësi SHSKUK si blerëse direkte dhe Ministria e Shëndetësisë si mbikëqyrëse e saj me na tregu pse, me gjithë buxhetin më të madh ndonjëherë të ndarë për barna në Kosovë, po mungojnë këto produkte?”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Ndaj pretendimeve të gazetares Rama ka reaguar Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës.
Këta të fundit kanë vlerësuar se spitalet e Kosovës për asnjë moment nuk janë përballur me mungesë të këtyre barnave.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ( ShSKUK), lidhur me dezinformatat publike, njofton se ka pasur dhe ka qëndrueshmëri në furnizim me tretësirë për infuzion (NaCl 0.9%- 500 mililitra), për asnjë moment nuk ka pasur mungesë në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme. Theksojmë se në muajin janar 2025, ShSKUK ka pasur në stok 54 mijë e 610 copë me tretje për infuzion, NaCl 0.9%- 500 mililitra, të cilat në vazhdimësi janë shpërndarë në institucionet që menaxhohen nga ShSKUK, si në QKUK, ashtu edhe në spitalet e përgjithshme. Poashtu, ka sasi të mjaftushme me sisteme të infuzioneve dhe kanillave, ampula deksametazon dhe diklofenak, e që në vazhdimësi shpërndahen në QKUK dhe 7 spitalet e përgjithshme”, është thënë në reagimin e ShSKUK-së.
Kurse reagimin e ShSKUK-së gazetarja Rama e ka cilësuar si mashtrim institucional.
Në reagim e dytë të saj, ajo ka thënë se ka dokumente që e deshmojnë mungesën e barnave.
“Ja si duket MASHTRIMI institucional.. SHSKUK perballet me mungesat te cilat i kam thene. Une vet i kam lexu emailat nga njesite e SHSKUK me ankesat per mungesa dhe kam dhjetera mesazhe nga pacientet. Nuk ka njesi pa mungesa te theksuara te barnave. Emailat perkohesisht nuk po i publikoj per te ruajtuar konfidencialitetin e menaxhereve te klinikave”, ka shkruar Rama.