Gazetarja e RTK-së Edina Avdiu: Distancohem nga raportimi i mbrëmshëm
Gazetarja e RTK-së, Edina Avdiu, është distancuar nga raportimi i televizionit publik një ditë më parë.
Në raportim, Nacionale e Periskopi identifikoheshin si media të paguara nga Vuçiqi. Kjo duke cituar një portal fantom në Bosnje.
Avdiu ka thënë se ky raportim nuk plotëson standardet e gazetarisë.
Postimi:
#unëdistancohem
Angazhimi im si gazetare në edicionin qendror të lajmeve në Radio Televizionin e Kosovës ka rastisur të filloj më 17 shkurt të vitit të kaluar, në përvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Që 1 vit e 5 muaj e 6 ditë, kam punuar fort, çdo ditë, me të vetmin qëllim, raportimin e drejtë të publikut, fillimisht si qytetare e një shteti të pavarur e demokratik, e pastaj si gazetare.
Për verifikimin e informacioneve ndonjëherë më është rrezikuar edhe jeta.
Por përtej rreziqeve në terren, rrezik më të madh e shoh raportimin që nuk plotëson standardet e gazetarisë.
Andaj me keqardhje distancohem nga ajo që u transmetua mbrëmë në edicionin qendror të lajmeve pa qenë përgjegjëse për të dhe zotohem se do të vazhdoj të punoj me profesionalizëm në shërbim të publikut e demokracisë. #RTK