Gati një dekadë mashtrim me strehim: Kurti mbulon zvarritjet dhe kreditë me postime triumfaliste - NACIONALE

Gati një dekadë mashtrim me strehim: Kurti mbulon zvarritjet dhe kreditë me postime triumfaliste

6 orë më parë

nga Flakon Demaku

Përmes një grafike dhe diskursi triumfalist në rrjetet sociale, kryeministri në detyrë Albin Kurti shpalosi projektin e “Banimit Social Adekuat”, duke e trumpetuar si investim madhor prej rreth 37 milionë eurosh në 21 komuna.

Pas euforisë dhe toneve festive të kreut të ekzekutivit fshihen zvarritje e zvarritje: premtime për strehim që nga viti 2017, zotimi për 4 mijë familje ende larg përmbushjes, një kredi e miratuar nga CEB-i qysh në vitin 2022, projekti i së cilës vetëm tani po kalon në fazën konkrete të zbatimit, dhe 25 milionë euro kredi të “harruara” në postimin dhe grafikën promovuese të Kurtit.

Gjeneza e zotimit për banim social dhe të përballueshëm daton pothuajse një dekadë më parë. Çështja e banimit ishte pjesë e ofertës programore të Lëvizjes Vetëvendosje që prej vitit 2017.

Më 25 maj të atij viti, kur subjekti politik shpalosi planin qeverisës prej 40 pikash me Albin Kurtin pretendent për kryeministër, pika e tetë përmendte shprehimisht “hartimin dhe zbatimin e planit për banimin e përballueshëm dhe banimin social”.

Kësisoj, sektori që Kurti sot pohon se Qeveria e ka ngritur “në qendër” të angazhimit të saj, figuronte në kartën e tij elektorale që kur aspironte marrjen e pushtetit.

Katër vite më pas, ky zotim u artikulua në mënyrë disi më konkrete.

Premtimi ende i papërmbushur për 4 mijë familje

Programi Qeverisës 2021–2025 proklamoi banim të përballueshëm për 4 mijë familje, nëpërmjet formulave financiare “120×120” dhe “150×150”.

Familjet përfituese parashihej të fitonin pronësinë mbi njësitë e banimit me këste mujore prej 120, përkatësisht 150 eurosh, brenda një harku kohor jo më të gjatë se 120, përkatësisht 150 muaj. Fatura vjetore e projektit llogaritej në rreth 22 milionë euro.

Mirëpo, projeksionet e vetë Qeverisë shkonin edhe më tej: Plani Strategjik dhe Operacional i vitit 2021 përcaktonte si tregues performance që, deri në përmbyllje të vitit 2024, 2 mijë familje të kishin siguruar banim të përballueshëm.

Afati skadoi.

Në fund të vitit 2024, vetë Kurti njoftonte se për banimin e përballueshëm ishte përmbyllur studimi i fizibilitetit, ishte hartuar ligji, ishin përzgjedhur lokacionet në 13 komuna, po bëhej projektimi dhe ishin nënshkruar pesë marrëveshje. Rrjedhimisht, ekzekutivi vazhdonte të raportonte mbi fizibilitet, projektim dhe marrëveshje, pa raportuar se objektivi për 2 mijë familje deri në fund të vitit 2024 ishte përmbushur.

Gurthemelet e para të këtyre komplekseve nisën të hidheshin tek gjatë vitit 2025. Në Istog, bie fjala, gurthemeli për 65 njësi banimi u vendos më 30 prill 2025; në Pejë, ai për 135 banesa u hodh më 28 maj.

Më shumë se pesë vite pas zotimit për 4 mijë familje, ky objektiv mbetet i papërmbushur në përmasën e premtuar. Paralelisht, Kurti tashmë po promovon tjetër skemë, atë të “Banimit Social Adekuat”, me 773 njësi banimi të artikuluara në njoftimin më të fundit.

25 milionë kredi

Edhe shuma prej 37 milionë eurosh e trumbetuar nga Kurti kërkon dekonstruktim financiar.

Nga kjo paketë, 25 milionë euro, apo rreth 67.6 për qind e vlerës totale, financohen përmes huasë nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës. Pjesa e mbetur, prej 12 milionë eurosh, mbulohet nga buxheti.

CEB e miratoi këtë financim qysh më 18 nëntor 2022. Marrëveshja prej 25 milionë eurosh u vulos në Paris më 25 janar 2024 nga ministri Hekuran Murati dhe guvernatori i CEB-it, Carlo Monticelli, ndërsa Kuvendi e ratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024.

Thënë ndryshe, përafërsisht dy në çdo tri euro të paketës 37-milionëshe që po prezantohet me triumf financohen përmes huamarrjes publike.

Kurti e zbardhi këtë strukturë financiare gjatë konferencës së 22 gushtit, mirëpo në postimin e tij promovues në Facebook — ku i mëshoi fort shifrës prej 37 milionë eurosh, 21 komunave dhe 773 njësive, por nuk përmendi se 25 milionë euro përbëjnë kredi.

Ndërsa linja e financimit u miratua nga CEB qysh në nëntor të vitit 2022, më 22 gusht 2026 Kurti deklaroi se projekti po kalonte “nga planifikimi dhe përgatitja në fazën konkrete të zbatimit”.

Nga 27 komuna në dokumente, te 21 komuna sot

Më 23 dhjetor 2024, MMPHI lëshoi njoftim zyrtar me titullin se Ministria “me 27 komuna nënshkruan Memorandumet e Mirëkuptimit për Projektin e Banimit Social Adekuat”, në vlerë prej 37 milionë eurosh.

Në atë kumtesë, dikasteri e cilësonte hapin si një “hap të madh përpara”, duke listuar ndërtimin e njësive të reja sociale, renovimin e atyre ekzistuese dhe rindërtimin apo renovimin e shtëpive private. Megjithatë, vetë përmbajtja përmbante një mospërputhje në formulim: pasi flitej për memorandume të nënshkruara, më tej theksohej se 27 komuna “kanë shprehur interes” për t’u bërë pjesë.

Kjo shifër prej 27 komunash nuk u kufizua vetëm me atë deklaratë.

Në Planin Institucional të MMPHI-së për periudhën 2026–2028, të publikuar gjatë këtij viti, indikatori i programit vazhdon të emërtohet tekstualisht: “Numri i njësive për Banim Social Adekuat në 27 Komuna”. Po ky dokument pasqyron financimin prej 25 milionë eurosh nga CEB-i dhe 12 milionë eurosh nga MMPHI.

Pavarësisht kësaj, më 22 gusht 2026, Pacolli-Dalipi njoftoi se të hënën do të nisë nënshkrimi i marrëveshjeve me vetëm 21 komuna përfituese.

773 njësi apo 773 familje?

Edhe treguesi kryesor sasior i prezantimit të fundit përcillet me paqartësi nga vetë drejtuesit e Qeverisë.

Në postimin e tij, Kurti tha se përzgjedhja e përfituesve lidhet me “773 njësi banimi”, ndërkohë që Pacolli-Dalipi, po atë ditë, deklaroi se nga investimi synohet të përfitojnë rreth 773 familje.

Kjo lyp sqarime shtesë nga ekzekutivi, për faktin se projekti nuk konsiston thjesht në ngritjen e godinave të reja, por ngërthen edhe renovimin e banesave sociale ekzistuese, si dhe rindërtimin apo renovimin e shtëpive private për kategoritë e cenueshme.

Kur CEB aprovoi kredinë në nëntor 2022, institucioni e përcaktoi atë si fazë fillestare të një programi gjithëpërfshirës, duke vlerësuar se rreth 2 mijë ekonomi familjare do të përfitonin. Të njëjtin vlerësim prej rreth 2 mijë familjesh CEB e përsëriti edhe gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në janar të vitit 2024.

Madje, edhe dokumentacioni zyrtar i MMPHI-së i vitit 2025 vazhdonte të vlerësonte se rreth 2 mijë familje mund të përfitonin nga projekti.

Sot, njoftimi flet për 773.

Njoftimi i gushtit 2026 nuk ofron qartësi nëse kjo shifër përfshin thjesht një pjesë të nënprojekteve të kësaj etape, apo nëse pritshmëria fillestare prej 2 mijë familjesh ka pësuar tkurrje.

Lajme të ngjashme