Gati e pabesueshme: Gjenerali më i lartë serb takon gjeneralin më te lartë amerikan - ku jemi ne?
Një takim i befasishëm ka ngjarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, ky takim duket krejtësisht surreal e vështirë i besueshëm. Gjenerali më i lartë i ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq ka takuar shefin e Shtabit të ushtrisë amerikane, gjeneralin Mark A. Milley. Ky takim vjen në një kohë kur Kosova po përballet me kritika të hapura nga ShBA-ja, e cila vazhdon të përsërit nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për më shumë, përderisa ambasadori i Kosovës në Uashington ankohet për "brutalitetin amerikan" dhe pamundësinë e takimeve, Serbia dhe ambasadori i saj realizojnë takime të rëndësishme. Për takimin e ushtarakëve më të lartë të Serbisë dhe Amerikës, ka njoftuar Marko Gjuriq, ambasadori i Serbisë në Uashington, i cili e quajti këtë takim si veçanërisht i rëdnësishëm.
“Dje në Pentagon është mbajtur një takim veçanërisht i rëndësishëm për Serbinë mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralit Milan Mojsiloviq dhe shefit të Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA-së, gjeneral Mark A. Milley. Çështje me interes të ndërsjellë...” – shkroi ambasadori serb Gjuriq, duke shpërndarë edhe një fotografi të përbashkët me dy gjeneralët.
Yesterday, an especially significant meeting for Serbia was held in the Pentagon between the Serbian Armed Forces Chief of General Staff, General Milan Mojsilovic, and the US Armed Forces Chairman of the Joint Chiefs of Staff, General Mark A. Milley.
— Марко Ђурић (@markodjuric) February 7, 2023
Issues of mutual interest... pic.twitter.com/DgeLTwTFdK
Përveç befasisë, edhe koha e takimit është jashtëzakonisht interesante. Takimi mes dy gjeneralëve vjen në një kohë delikate për Kosovën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në disa raste kanë shfaqur edhe publikisht qëndrimet e tyre karshi Qeverisë Kurti. Madje, ata nuk kanë ngurruar të jenë kritikues.
Përfaqësuesi i ShBA-së, Gabriel Escobar, fatkeqësisht ishte i hapur edhe në deklarimet e bëra gjatë ditës së djeshme.
“Asociacioni është një obligim i detyrueshëm ndërkombëtar. Ai e obligon Kosovën, obligon Serbinë dhe e obligon BE-në që e ka udhëhequr, dhe pse ne e kemi përkrahur është përkushtimi ynë. Andaj, një parti dhe një individ nuk mund të ikë nga ai njëanshëm.” – theksonte z. Escobar javë më parë.
Ndaj tij, kishte reaguar Kurti. Shefi i ekzekutivit kosovar vlerësoi se pritshmëritë e tij ishin se Escobar do të insistonte më shumë në njohjen e Kosovës nga Serbia, se sa në Asociacionin.
“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.” – tha ai.
Përveç Escobarit, Kurti ishte përballur edhe me kritika nga ana e Derek Cholletit, këshilltarit të sekretarit Anthony Blinken, i cili po ashtu ishte deklaruar i vendosur për nevojën e themelimit të Asociacionit.
“Ne vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e një Asociacioni konsistent me Kushtetutën e Kosovës.” – u shprehej ai gjatë një takimi me përfaqësuesit e Listës Serbe.
Edhe më brutal...
Për marrëdhëniet jo aq të mira mes Qeverisë Kurti dhe ShBA-së kishte raportuar edhe vetë ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli. Në një raport, të botuar nga Nacionale, Dugolli shkruante se Amerika është edhe më brutale se që mund të përceptohet në Prishtinë.
Gazeta Nacionale ditë më parë botoi raportin e titulluar “Raport i shkurtër mbi vitin e parë të detyrës në ShBA” të përgatitur nga ambasadori Ilir Dugolli, dhe i cili i dërgohej shefes së diplomacisë tonë, znj. Donika Gërvalla Schëarz.
Aty, ambasadori Dugolli tregon për “kufizimet e shumta” me të cilat është përballur Ambasada përgjatë vitit për të cilin reflekton.
“Përderisa mund të ketë ambasadë tjetër të RKS-së që ka funksionuar me nivel të njëjtë të stafit, vështirë të ketë rast tjetër ku shkrihen në një vend mbështetja në një diplomat të vetëm, pa staf vendor, me trajtim nga shteti nikoqir që është larg më brutal se që mund të perceptohet në kryeqendër...” – shkruante z. Dugolli.
Por, siç shkroi Nacionale në vikendin e kaluar, duket se asgjë nuk ka ndryshuar nga koha kur Dugolli raportonte. Sipas uebfaqes së Ambasadës së Kosovës në Uashington, aktualisht në këtë kryeqendër janë vetëm katër anëtarë të stafit diplomatik (së bashku me ambasadorin Dugolli). Përveç ambasadorit Dugolli, në stafin diplomatik janë edhe 3 persona: Bujar Maxhuni, ministër këshilltar, Berat Shala, atashe i mbrojtjes dhe Lulzim Krasniqi, atashe policor. Sipas uebfaqes, në aspektin politik Kosovën në Uashington e përfaqësojnë aktualisht vetëm 2 persona: ambasadori Dugolli dhe diplomati Maxhuni, që është ministri këshilltar.
Në Ambasadën e Kosovë në ShBA mungojnë sekretari i parë dhe i dytë i Ambasadës. Por krejt ndryshe është në Ambasadën e Serbisë në Uashington. Serbia ka gjithsej 12 anëtarë në stafin diplomatik, plus ambasadorin Marko Gjuriq, i cili është i 13-ti diplomatë i Serbisë në Uashington. E ky dallim në praninë diplomatike të Kosovës dhe Serbisë, duket se po e “eksploaton” edhe Serbia, e cila tashmë ka “trashur” marrëdhëniet me ShBA-në, e cila është si kurrë më parë e ashpër ndaj Kosovës.


