Gati 40 orë nga fillimi i gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Kurti, Osmani e Konjufca ende pa fjalë - NACIONALE

Gati 40 orë nga fillimi i gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Kurti, Osmani e Konjufca ende pa fjalë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Me 3 prill, në Hagë ka filluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të gjithë ish-krerë të lartë të UÇK-së, po përballen me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ndonëse nisja e gjykimit ndaj tyre ka marrë vëmendjen e gjerë nga opinioni publik në Kosovë dhe përtej saj, ende nuk është parë/dëgjuar asnjë fjalë nga Osmani Kurti dhe Konjfuca.

Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca, që udhëheqin tri institucionet më të rëndësishme në vend, nuk kanë shkruar asnjë shkronjë në lidhje me nisjen e këtij gjykimi edhe pas rreth 38 orë që nga fillimi i gjyqit.

Në ditën e dytë të gjyqit, avokatët e Thaçit, Veselit dhe të Krasniqit dhanë para gjykatës deklaratat e tyre hapëse dhe ofruan ‘tonelata’ me prova, duke kërkuar lirimin e klientëve të tyre nga akuzat, zhvillime të tilla nuk po tërheqin vëmendjen e kryeministrit Kurti, presidentes Osmani dhe kryeparlamentarit Konjufca të cilët po vazhdojnë të heshtin.

Kurti gjatë ditës së dytë të gjyqit në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve e bëri përsëri një shkrim në Facebook, por – edhe këtë herë - jo për gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka shkruar rreth vizitës së tij në fabrikën e kompanisë kosovare “S//Sprint”.

“Bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Kryetari e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ishim të nderuar sot nga mikpritja e përzemërt e çiftit bashkëpronar, Sopa, stafit menaxherial dhe punëtorëve të zellshëm të S//Sprint.” – ka shkruar Kurti ndër të tjera në këtë postim.

Megjithatë, ndonëse jo nga Kurti e Konjufca, reagime pati nga disa aktivistë të VV-së rreth fjalimit të Rexhep Selimit në Hagë. Fjalimi i Selimit, përfshirë citate nga fjalimi i tij, kanë filluar të shpërndahen gjerësisht, posaçërisht nga aktivistët e VV-së. Sigurisht, ndër reagimet e para ishte ai i bashkëshortes së Rexhep Selimit, Shqipe Selimit, e cila është po ashtu deputete e VV-së.

“Përgjithmonë UÇK” – shkroi zonja Selimi, postimi i sëcilës mori mbi 500 pëlqime.

Tinka Kurti, deputete e VV-së, e shpërndau fjalimin e plotë të Selimit, duke shkruar se liria ka histori.

“Fjalimi i plotë sepse liria ka histori. Kur kërcënohesh si nxënës e pastaj si student rruga më e drejtë është ajo e çlirimit.” – shkroi ajo, postim që mori edhe pëlqimin e Fitore Pacollit, deputete e VV-së.

Fjalimin e plotë e ka shpërndarë edhe Valon Hoti, aktivisti e koordinatori i qendrave të VV-së, duke shkruar se Selimi e ka mbrojtur çdoherë UÇK-në.

“Rexhep Selimi e ka mbrojtur çdoherë UÇK-në në mënyrën siç edhe e ka patur angazhimin në të përherë, të vërtetë, për ideal, për çlirim e liri. Për vlerat që ka përfaqësuar UÇK, për vlerat që është angazhuar populli ynë, ju ftoj ta ndiqni fjalimin plotë të 10-shit, aty para Gjykatës së Hagës.” – shkroi z. Hoti.

Çka ndodhi në ditën e dytë të gjyqit në Hagë?

Pas pesë orësh të Prokurorisë, sot radha i erdhi mbrojtjes së krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta thënë fjalën e saj. Avokatët e Thaçit, Veselit e të Krasniqit dhanë sot para gjykatës deklaratat e tyre hapëse dhe ofruan një sasi provash.

Avokati i Thaçit ka prezantuar disa video-inçizime, deklarata nëpër libra e dokumente, që tregojnë sipas tij, se ish-presidenti i Kosovës frikësohej ta nënshkruante marrëveshjen.

Kjo për shkak se nuk kishte fuqi aq të madhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosoës që një vendim të tillë të merrte pa u konsultuar me komandantët e zonave. Me këtë, mbrojtja tentoi të prezantojë para trupit gjykues faktin se fuqia e Thaçit nuk ishte aq e madhe në Shtabin e Përgjithshëm sa pretendon Prokuroria.

Avokati i Thaçit paraqiti edhe një deklaratë të presidentit amerikan, Joe Biden, kur ishte senator. “Unë e di që ti nuk ke aq fuqi në UÇK”, i kishte thënë Biden Thaçit.

Në anën tjetër, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, i kërkoi Dhomave të Specializuara që opinionet politike që ka pasur me ish-krerët tjerë të UÇK-së të mos përdoren si fakte juridike kundër tyre. Pra Selimi bëri paqe me Thaçin, Veselin e Krasniqin, me të cilët në liri kishte rivalitet politik.

“Më duhet të theksoj e të them se dallimet dhe opinionet politike mes nesh nuk duhet dhe nuk mund të përdoren si fakte juridike kundër askujt e po ashtu kundër ne të bashkëakuzuarve. Në këto qaste kur ne flasim e po na shohin qytetarët, kam shumë besimin se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën. Dhe unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi të lirë, për të cilin luftuam gjatë gjithë jetës tone.” - ka thënë ai.

Lajme të ngjashme