Gashiqi në kufi, Sveçla kurrkund: Gati dy muaj prej komunikatës së Hovenierit qëkurse ministri e “pezulloi vrullin” në veri
Po bëhen tashmë gati dy muaj që kur Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, s’është dukur gjëkundi e lëre më në terrenet ku “shkëlqente” në marrëdhënie me publikun: në veri.
Sveçla me mantel shiu, në motor katërrotësh, duke patrulluar kufirin Kosovë-Serbi është një pamje që ekranët tonë kanë mundur ta riluajnë vetëm nga pamje të arkivit.
Që nga komunikata e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier më 3 shkurt ku Sveçla u dezignua në emër të përvetshëm si “ngritës i tensioneve ndëretnike” ky i fundit s’është bërë më i gjallë.
The United States Government is deeply concerned about recent actions by authorities of the Government of Kosovo that have a direct and negative effect on members of the ethnic Serb and other minority communities in Kosovo. Read my full statement: pic.twitter.com/CHhK88kCSr
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) February 3, 2024
Sveçla në veshje taktike, në pjesëmarrje të operacioneve policore, duke rrëzuar billborde të Putinit e Vuçiqit, duke mbyllur zyre paralele serbe (etj.) del të ketë qenë një kinematografi para 3 shkurtit; shiriti i filmit të së cilës me ç’duket u pre nga Hovenier.
Jo pak kush ka spekuluar – me disa që thirren në ‘burime’ të tyre – se Sveçla e ka edhe të ndaluar të operojë në zhdërvjelltësinë e moçme.
Sveçla e dha si “trailer” në vrullin e paraqitjeve të çdoditshme me video në Facebook se “filmi” do të kishte këtë përfundim teksa tregonte mbylljen e disa zyreve të strukturave paralele:
“Institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.
Ishin pamje të cilat ministri i brendshëm i kishte normalizuar në rrjete sociale duke patrulluar edhe kufijt me njësitë speciale, me motorë katërrotësh edhe në mote stuhie; kësisoju duke e projektuar veten për sovranist në çdo cepi të territorit.
Megjithatë, për atë çka dikur s’e ndalte as shiu; tashmë në mot pranvere – Sveçla është pa hov.
Hesapi del të ketë ndërruar, dhe madje ministri i brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, ka nisur thuajse të kopjojë Sveçlën edhe në aparencë: dhe duke i paraqitur në vijën kufitare.
Gashiq ia mësyu kufirit Kosovë-Serbi në dritën e alarmimeve të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se forcat speciale ushtarake janë filmuar prezente “vetëm disa metra larg” fshatit Banje të Zubin Potokut.
Këtë alarm Kurti e dha në mes të natës.
Days ago, Serbia's president issued an open threat: They are waiting for the best possible opportunity to invade 🇽🇰. Today, Serbian Army units have been detected just meters away from our border. We are closely monitoring the situation for any attempt to cross into 🇽🇰 territory. pic.twitter.com/QXFi6RiIQm
— Albin Kurti (@albinkurti) March 21, 2024
Gashiq – ish-shef i BIA-s famëkeqe, i bërë ministër i brendshëm në rrokadë me edhe më famëkeqin Aleksandar Vulin – doli në terren të fotografohej me pjesëtarë të policisë ushtarake serbe.
“Serbia do të jetë në gjendje të mbrojë popullin dhe territorin e saj”, do të shprehej Gashiq, për çka mediat kryekëput nën kontroll të Beogradit zyrtar do t’i jepnin publicitet masiv.

Gazetari Valon Syla, ishte i pari që me një siguri të madhe shprehej se Sveçla e ka të ndaluar avazin e vjetër në pjesën veriore të vendit.
“E ka tepru. Kur një ministër është marrë me tabela, dmth prej njohjes kanë zbrit në tabela t’kerrit”, ka thënë Syla, për çka shprehej në Pressing të T7 “Xhelal Sveçla e ka të ndalune pa leje me shku në veri, duhet me pyet KFOR’in”.
Që nga komunikata e Hovenier-it (3 shkurt) Sveçla në profilin e tij, ka veçse postime ceremoniale dhe të një karakteri krejt tjetër; i ndalur si me dorë. Në fjalë tjera, një Xhelal Sveçël para 2 shkurtit, dhe një Xhelal Sveçël “të relaksuar” pas 3 shkurtit.
Visar Ymeri, ish-bashkëpartiaku i tij, ishte i pari që veprimet e Sveçlës dhe denoncimin e ashpër nga ambasadori amerikan e kishte lexuar në një dritë hiç premtuese, për çka në një prononcim për Nacionalen kishte vlerësuar “Sveçla këtë nuk do ta kalojë lehtë”.
“Në deklaratë, për herë të parë, vihet në spikamë drejtpërdrejt roli i Ministrit të Brendshëm në këto veprime që kanë ngritur shqetësimin e ShBA-ve. Nuk është as diplomatike e as e shpeshtë ky veçim i njërit prej ministrave dhe ky personalizim i vendimeve e veprimeve qeveritare, dhe kam dronë nuk është një gjë të cilën ministri Sveçla do ta kalojë lehtë”, ma pati thënë Ymeri.