Fushatën e kaluar “i bënë” dronët kamikazë, tash xhandarmëri: Pushteti nxjerr senzacion të ri zgjedhor - NACIONALE

Fushatën e kaluar “i bënë” dronët kamikazë, tash xhandarmëri: Pushteti nxjerr senzacion të ri zgjedhor

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Autoriteti final i sigurisë në Kosovë, sipas Nenit 153 të Kushtetutës, është KFOR-i.

Fushatat zgjedhore, megjithatë, prodhojnë premtime senzacionale.

Vetëvendosja ka dalë me zotimin e themelimit të xhandarmërisë së Kosovës.

Kjo forcë do të jetë “më shum se polici, më pak se ushtri.”

Qëllimi i deklaruar: ruajtja e kufijve gati 400 kilometërsh me Serbinë.

Ministri Xhelal Sveçla nënshkroi menjëherë themelimin e grupit punues.

Albin Kurti, mbrëmë në KTV, tha se xhandarmëria do të krijohet "në mandatin katërvjeçar."

Ai e përshkroi si forcë kufitare.

Gazetari e sfidoi se si operacionalisht, çështjet e ruajtjes ushtarake te kufirit janë nën ekskluzivitetin e KFOR-it dhe se si FSK-ja nuk vepron atje pa leje të misionit të NATO-s.

Kurti tha se "do ta bëjmë në bashkëpunim me NATO-n."

Vetëvendosja, megjithatë, e preu këtë pjesë nga klipi i shpërndarë në Facebook.

"Do të kemi diçka të re. Në mandatin e ardhshëm do ta formojmë xhandarmërinë."

Ajo do të luftojë krimin, korrupsionin dhe terrorizmin.

"Xhandarmëria mes policisë dhe ushtrisë, siç i ka Italia karabinierët, ose Franca," tha Kurti. "Edhe ne do ta kemi xhandarmërinë tonë."

Sveçla e “konkretizoi” të nesërmen.

Grupi punues, tha ai, do t'i kryejë të gjitha punët për krijimin e kësaj force.

Sipas tij, xhandarmëria do të garantojë "prezencë të fuqishme shtetërore."

Do të ruajë kufijt, integritetin dhe sovranitetin territorial, vijon pretendimi.

Do të merret edhe me menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Kështu shkroi Sveçla zyrtarisht.

Nacionale ka dërguar pyetje te KFOR-i. Çështja: si harmonizojnë mandatet, kur FSK-ja nuk vepron në veri pa leje të NATO-s?

Por, kjo nuk është hera e parë. Fushata e kaluar e Vetëvendosjes prodhoi një tjetër senzacion: dronët vetëvrasës "Skifter K1."

Kurti kishte njoftuar në profilin e tij se Kosova i prodhon vetë. "Made in Kosova," kishte shkruar, duke dhënë edhe specifika teknike të operimit.

Fluturon kaq distancë, me kaq shpejtësi, godet kaq cak. Mijëra reagime rrëmbeu klipi zgjedhor.

Kurti kishte premtuar edhe Gjakovën si qendër prodhimi dronësh. Droni u bë mjet marketingu politik me ndikim masiv.

Pas fushatës, gjërat ndryshuan. Kompania gjilanase që pretendohej ta kishte testuar dronin u vë nën dyshim.

Mediat e ngritën çështjen dhe e analizuan e verifikuan në tërësi ndërsa pushtetit iu desh të përgënjeshtromnnte veten:

"Nuk kemi lëshuar asnjë leje." As për prodhim, as për testim.

Ministri Ejup Maqedonci mohoi çdo lidhje zyrtare. Ai e bëri këtë me shkrim dhe në person.

"Në tetor bëmë vlerësim me Odën Ekonomike të inovatorëve në fushën e dronëve," tha Maqedonci. Ishte vetëm vlerësim, jo autorizim.

"Aty janë prezantuar vetëm dronë me helika, lloj tjetër, i vogël," shtoi ai. Asnjë leje nuk ishte dhënë për dronë luftarakë.

"As ne as institucione tjera nuk kanë lëshuar ndonjë leje për prodhimin e dronëve luftarakë," tha Maqedonci. As për qëllime të dyfishta.

Ministria e Mbrojtjes nxori edhe qëndrim zyrtar me shkrim. Mohoi çdo përfshirje apo autorizim lidhur me "Skifter K1."

"Bazuar në njohuritë tona, asnjë nga institucionet e Kosovës nuk ka qenë pjesë e ndonjë testimi të tillë," thuhej në deklaratë.

Ministria sqaroi: aktiviteti i tetorit kishte qenë vetëm vlerësim i dronëve komercialë me helika. "Nuk janë vlerësuar dronë me krahë," theksoi ajo.

Kurti, i pyetur nga gazetarët, mohoi dijeni. Ai që gjatë fushatës e kishte dhënë si punë të kryer, tani nuk dinte hollësi.

"Unë kam vizituar me qindra kompani anembanë Kosovës," tha Kurti. "Nuk mund të them se i di të gjitha hollësitë."

"Kur shqyrtohen aspektet profesionale, nuk mund ta di paraprakisht cilat janë ato saktësisht," shtoi ai.

Lajme të ngjashme