Fuqia e VV-së: dezinformacioni, manipulimi algoritmik dhe lufta hibride - NACIONALE

Fuqia e VV-së: dezinformacioni, manipulimi algoritmik dhe lufta hibride

1 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Megjithëse Kosova po citohet si shembull i mjedisit më të pasigurt online në Evropë, vendi po hyn në zgjedhjet e radhës pa kurrfarë mbrojtje ndaj manipulimeve algoritmike. Qindra llogari në platformat sociale veçse i kanë ndezur motorët me video, manipulime e marifete të tjera për hesap të Vetëvendosjes. Këto taktika hibride përpiqen të mimikërojnë ndërveprimin online e të krijojnë momentume artificiale.

Col Mehmeti

29 maj 2026 – Të enjten kryeministri në detyrë Albin Kurti mund të ketë qenë kudo tjetër pos në veri.

Por, një Albin tjetër, ai i Facebookut dhe rrjeteve të tjera sociale, ka qenë midis veriut duke udhëtuar triumfalisht me tren.

Kështu së paku e paraqet një video e manipuluar e cila me t’u afishuar mori mijëra pëlqime.

E afishuar nga njëri nga avatarët e propagandës veshtullore në internet – profili fals ‘Jona Çitaku’ – kjo video e çkontekstualizuar ka shënuar ditën e parë të hapjes zyrtare të fushatës së sivjetme për zgjedhjet e 7 qershorit.

Ishte vërtet Kurti në veri siç trumpeton ‘Jona’?

Ç’është e vërteta, videoja në fjalë është e para tri viteve.

4 nëntor të 2023-s, Kurti i shoqëruar nga ministrat e tij, Liburn Aliu, Artane Rizvanolli, Hekurani Murati e të tjerë, mori pjesë në përurimin e tuneleve 6 dhe 7 në vijën hekurudhore Han i Elezit – Fushë Kosovë.

Siç është praktikë e piarit (PR) promocional, Kurti me këtë rast kishte hipur në një tren ndihmës me të cilët ‘Trainkosi’ kryen kontrollet rutinore.

Domethënë, mjete të tilla lëvizëse nuk janë trena pasagjerësh, por aso me të cilët bëhet mirëmbajtja e komunikacionit hekurudhor thuajse inekzistent.

Foto e kohës: Vizita nuk është bërë në veri. Kurti ishte në trenin ndihmës të 'Trainkosit', më 4 nëntor 2023, me rastin e përurimit të dy tuneleve në afërsi të Hanit të Elezit (Burimi: Ministria e Infrastrukturës).

Gazeta NACIONALE dje e ka kronikuar gjerë e gjatë një tablo fare të pashpresë nga gjendja hekurudhore në Kosovë.

Përtej ekzibicioneve në veri me heqje tabelash të teneqeve që ishin në cirilikë dhe zëvendësimin e tyre me aso në shqip, Qeveria e Kurtit gjatë gjithë mandatit të saj e vuri buzë dështimit ringjalljen e komunikacionit hekurudhor.

Një raport i vjetshëm i Zyrës së Auditimit, me të cilin shqyrtohej Projekti për Rehabilitimin e Vijës Hekurudhore 10, kishte vënë në dukje se ministritë e Mjedisit, Financave dhe Ekonomisë ishin fajtore pse projekti i nënshkruar më 2015 nuk ka gjasa të bëhet as më 2027.

Kosova citohet si shembull i manipulimit algoritmik

Videoja e ‘Jona Çitakut’ nuk është e hasretit.

Si ajo janë dhjetëra mijëra të tjera që shpërndahen në rrjetet sociale nga një ushtri trollash e botsash.

Megjithëse institucionet e sigurisë janë në dijeni të rrjeteve të tilla të manipulimit algoritmik, deri më tani askush nuk është vënë para drejtësisë.

Kosova, në të vërtetë, po i bën shoqëri vendeve si Bullgaria, Rumania e Moldavia ku rezultati i zgjedhjeve po diktohet nga manipulimet algoritmike.

Këtë e nxori në pah edhe raporti i Balkan Free Media Initiative (BFMI) që doli në nëntor të vitit të kaluar.

Në pjesën kushtuar Kosovës dhe zgjedhjeve të shkurtit, ekspertët britanikë vunë në dukje se ishin vënë në përdorim fushata të organizuara manipulimi e teknika amplifikimi në platformën sociale TikTok.

Ky studim kishte nënvizuar përdorimin e metodës manipuluese ‘Fire Hose’me anë të së cilës u afishuan vëllime marramendëse postimesh e komentimesh të sinkronizuara e me uzurpime hashtagësh.

Sipas të njejtit raport, Vetëvendosja doli se ia kishte parë hajrin më së shumti influencerëve e llogarive të ndryshme në TikTok, që brenda datave 8 dhe 10 shkurt afishuan 18,640 video.

Teknikat e përdorura ngërthenin vëllime të mëdha postimesh, reciklim të shpejtë të përmbajtjeve me format të shkurtër, kohëzim të bashkërenduar dhe përdorim të influencerëve.

Dezinformacioni po kërcënon themelet e besimit qytetar

Kosova mbetet e pambrojtur ndaj një dukurie të tillë hibrid edhe pse ka prani të misioneve ndërkombëtare.

“Mjediset e vogla gjuhësore e politike shpesh marrin vëmendje minimale, që i bën ato më të brishta ndaj valëve të papritura të përmbajtjeve tejet të optimizuara”, kishte thënë Petër Horrocks në një intervistë për NACIONALE-n.

Sipas ekspertit londinez të mediave, shtetet e vogla, sidomos ato në mjedise komplekse gjeopolitike, shpesh përjetojnë më fort pasojat e turbullirave algoritmike.

Duke folur për gjetjet e raportit të BFMI-së, Horrocks kishte theksuar se në shkurt të 2025-s pati një “përqëndrim të rrjedhjes së pazakontë të vëmendjes përreth grupeve të caktuara të llogarive, që në praktikë dukeshin se ishin për hesap të një akteri politik më shumë se të tjerëve”.

Se manipulimet algoritmike po bëjnë kërdi, kjo ishte alarmuar edhe nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Aiovo Orav. Sipas tij, dezinformacioni, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike po kërcënojnë themelet e besimit qytetar në Kosovë.

Edhe nga misioni i OSBE-së në Kosovë, gjatë një prononcimi për NACIONALE-n, ka thënë se për këto sfida që e tejkalojnë Kosovën kërkohet “përpjekje mbarëshoqërore.” /Nacionale/

Lajme të ngjashme