Ftesa e BE-së, raportohet se Kurti e Vuçiq pritet të takohen të dielën ose të hënën
Një ftesë nga BE-ja për takim tashmë ka mbërritur në adresë të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Serb Aleksandar Vuçiq. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stani, i cili tha se ky takim pritet të ndodh shumë shpejt, teksa 21 nëntori, dita e fundit e fazës së qortimeve për targa po mbaron. Pas 21 nëntorit, sipas planit të Qeveriës Kurti, pritet të fillojë faza e dytë, pra ajo e gjobitjeve për vozitësit e veturave me targa ilegale.
“Ne kemi ftuar z.Kurti dhe z.Vuçiq për një takim të nivelit të lartë dhe shpresojmë që ky takim të ndodh shumë shpejt”, ka deklaruar Stano në konferencën e mesditës të mbajtur sot.
Radio Evropa e Lirë, edicioni në gjuhën serbe, duke cituar burimet e saja në Bruksel, raporton se data e saktë varet nga konfirmimi dhe disponueshmëria e palëve. Sipas burimeve të REL-it theksojnë se ky takim pritet të mbahet të dielën në mbrëmje ose të hënën në mëngjes.
Një takim i tillë në nivel liderësh, vjen pas takimit në nivel kryenegociatorësh, pas Besnik Bislimi, dyshi i Qeverisë Kurti, dhe Petar Petkoviq, kryenegociatori serb, u takuan dy ditë më parë në Bruksel, e ku tema kryesore ishte padyshim targat.
Megjithatë, Kurti nuk është në Kosovë pasi aktualisht ai është në një udhëtim zyrtar në Estoni. Nuk dihet nëse Kurti do të udhëtojë nga Estonia në drejtim të Brukselit, por ai foli për dialogun pas takimit me kryeministren estoneze, Kaja Kallas.
Siç raportone Radio Evropa e Lirë, Kurti theksoi se negociatat po vazhdojnë.
“Jemi duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist por qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në negociatat e reja”, theksoi Kurti.
Kurti e ritheksoi qëndrimin e tij se nevojitet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
“Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.
E një deklaratë e befasishme erdhi nga Mimoza Kusari, shefe e Grupit Parlamentar të VV-së, e cila tha se arritja e marrëveshjes për targa “është çështje orësh”.
“Sa i përket marrëveshjes për targat unë jam e informuar që janë duke e marrë shumë seriozisht, dhe që ka pasur shkëmbime mes Besnik Bislimit, si kryenegociator me ndërmjetësit të BE-së në raport me hapat e radhës. Po besoj që është çështje orësh ndoshta të mos them ditësh, se kanë mbetur pak ditë që do të dilet me një zgjidhjeje për të cilën do të ketë ose besojmë që do të ruhet edhe stbailiteti, por natyrisht edhe ligjshmëria.”- ka thënë Kusari në një panel të organizuar nga KDI, transmeton Nacionale.
E për targat foli dje edhe Besnik Bislimi kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë. Në Tëvë 1, Bislimi foli disi pakuptueshëm për negociatat për targat, duke mos e sqaruar mjaftueshëm deklaratën e tij rreth modaliteteve. Megjithatë, ai tha se Qeveria e Kosovës i ka dërguar me shkrim mënyrën se si e shohin zhvillimin nga java e ardhshme ose muajt në vijim.
“Këto zbardhen në fund kur të kemi dakordim. Ne jemi ende në kontakt me z.Lajçak, sot e kemi dërguar me shkrim mënyrën se si e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e në muajt në vijim. Në atë moment që kemi dakordim, e bëjmë publike”, ka thënë ai.
Gazetarja e televizionit insistoi të kuptonte më shumë nëse një nga modalitetet e propozuara ishte zgjatja e afatit të qortimeve.
“Modalitete janë 20 sosh...”, tha z.Bislimi që vetëm se e turbulloi deklaratën e parë.
Gazetarja insistoi edhe më tutje për një qëndrim, duke e vendosur z.Bislimin në një pozicion të vështirë, që për rrjedhojë e bëri edhe më të pakuptueshëm dyshin e Qeverisë Kurti II.
“Në 20 mund të jetë secili, për të cilin kemi diskutuar ne dhe të cilin e kemi suportu është diçka tjetër”, vazhdoi sërish kryenegociatori.
Kujtojmë që ShBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar në vazhdimësi që të shtyhet afati i zbatimit të reciprocitetit për targa.
Madje Gjermania e cilësoi si absurde të rrezikohet një konflikt i dhunshëm për targa, ndërsa Italia e quajti budallallëk një këmbëngulje të tillë nga ana e Qeverisë Kurti.
Dje, krejt papritmas, 9 deputetë të Listës Serbe u betuan në Kuvendin e Kosovës, të cilin regjistrim e quajtën thjesht një vendim strategjik për të penguar Kurtin për të ndryshuar Kushtetutën.

