Fotografia që ekspozoi lidhjen e Vetëvendosjes me propagandën online - NACIONALE

Fotografia që ekspozoi lidhjen e Vetëvendosjes me propagandën online

11 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Para disa muajve, profilet në Facebook e 'grave të rreme' – rreth të cilave Nacionale raportoi gjerësisht – pushtuan rrjetet sociale me mbështetje të furishme për Vetëvendosjen në kohë të fushatës zgjedhore. Qindra profile të rrejshme, grupe të koordinuara dhe përmbajtje masive propagandistike. Një praktikë e tillë për kontrollin e narrativës politike vazhdon të përdoret në mënyrë të përditshme, por në periudha të caktuara – sidomos gjatë fushatave zgjedhore – ajo merr përmasa masive, me postime, shpërndarje të koordinuar të postimeve të rreme në rrjetet sociale.

Sot, në tubimin e 40-të të deputetëve në Kuvend, një shkrepje hodhi dritë mbi përfshirjen e drejtpërdrejtë të të paktën një prej deputetëve të kësaj partie në këtë mekanizëm propagandistik.

Deputetja Fitore Pacolli u kap nga fotoreporterit i Nacionales, Visar Kadrolli teksa në ekranin e tabletit të saj në shfaqej një mesazh i ardhur në “Messenger”, i cili udhëzonte se si të fabrikohej një postim i rremë në rrjetet sociale.

Në të shfaqet një grup i hapur në Messenger, i titulluar “Seanca çdo 48h”, ku një nga anëtarët shpërndan një vegëz me përshkrimin në gjuhën angleze:

“Zeoob: Fake Facebook Post Generator with Comments” – një platformë që gjeneron postime të rreme në Facebook, të kompletuara me komente.

Nuk është ende e qartë nëse ky grup përbëhet ekskluzivisht nga deputetë të VV-së.

Megjithatë, prania e tyre në një bisedë ku ndahen mjete teknologjike për manipulim të opinionit publik përbën skandal serioz.

Çka është Zeoob.com?

Bëhet fjalë për një faqe që ofron mjete për të simuluar postime dhe biseda të rreme në rrjete sociale si Instagram, Facebook, X, Snapchat, WhatsApp, TikTok e të tjera. Këto simulime janë vizualisht realiste dhe të dizajnuara për të mashtruar.

“Mirë se vini në Zeoob, simulatorët më të mirë online për krijimin e postimeve të rreme në rrjetet sociale me komente që duken dhe ndihen reale. Zgjidhni nga një gamë e gjerë opsionesh për platformat sociale si Facebook, Twitter/X, Instagram, Snapchat, WhatsApp dhe shumë të tjera. Krijoni një postim që duket realist me gjeneratorin tonë të postimeve në Instagram duke ngarkuar foton tuaj të profilit, shtuar përshkrime dhe duke bërë personalizimet që dëshironi.” – thuhet në hyrje të kësaj platforme.

Çka u komunikua në grup?

Menjëherë pas shpërndarjes së këtij linku në grupin “Seanca çdo 48h”, Albion Rexhepi, për të cilin Nacionale mësoi se është zyrtar i Autoritetit të Konkurrencës, komenton:

“Qitu e ndreq kollaj.”

Deputetja Pacolli i përgjigjet me një imazh ku një burrë përqafon kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke shtuar me ironi:

“Ka edhe të tillë që videot e AI i marrin si të vërteta hahahaha.”

“Hahahaha,” ia kthen bashkëbiseduesi.

Rexhepi, me të dalë lajmi në Nacionale, ku vërehej fotografia e tij në mesengjer tek sa llafoseshin me deputetën se si të mashtrojnë online, e ndërroi fotografinë e profilit në Facebook.

Rexhepi e ka konfirmuar për Nacionalen se ishte ai që komunikoi me Pacollin, duke shtuar se grupin e mbajn për takime dhe dalje me biçikleta: "Po unë kam komunikuar. Por grupi në fakt ekziston për dalje me bicikleta. Unë Fitoren e kam shoqe dhe emrin e grupit e kemi ndërruar në formë sarkazme, sepse Fitorja shpesh herë nuk po mund të vije për shkak të obligimeve në Kuvend. Dua ta bëjë edhe një sqarim, unë komunikimet me Fitoren i bëjë në baza personale, sepse e kam shoqe dhe jo në kuadër të institucionit ku punoj." - u shpreh ai.

Albion Rexhepi, siç shihet në profilin e tij në Facebook është i afërt me Fitore Pacollin. Vet Pacolli kishte publikuar videome Rexhepin tek sa ekspozonin ‘sovranitetin’ mbi Urën e Ibrit, duke u shetitur me biçikleta.

Lajme të ngjashme