Fotografia e përjetshme – Thaçi, vizionar për Kosovë e Maqedoni
Col Mehmeti
Fuqia e vetme e albinkurtistëve dhe vjosaosmanistëve ka qenë në largim fotografish.
Kur i gjithë investimi disavjeçar në veri shkoi huq për pak ditë, ‘sovranistët’ vendosën ta tregonin forcën ndaj një fotografie të varur në mur.
Dikur Agjitpropi sovjetik i retushonte fotografitë bardhë-e-zi me anë të prerjeve të personazheve të purgatorizuara, siç ndodhi me rastin e njohur të Nikolai Yezhovinit e të tjerëve.
Nëse jo me mjete primitive manipulimi si në kohën e Vëllaut të Madh, falsifikimet e përbindshme nuk kanë munguar as në domenin vizual.
Gërshërët e falsifikimit nuk ishin me heqje personazhesh, por me shtim perfid elementesh të gënjeshtërta.
Më 2018, ish-presidenti Thaçi endej me një motorbarkë të Policisë së Kosovës nëpër Liqenin e Ujmanit.
Të ndodhur përballë një simbolike kaq të fuqishme, fotomanipuluesit shejtanë e manipuluan imazhin duke e shkruar në çirilicë ‘Republika Srbija’.
Kështu, ata e kontrabanduan një imazh të rremë sikur ish-presidenti huazonte edhe varka nga Serbia për të lëvizur në veri.
Nuk është e thënë që hakmarrja e provincialëve të ngopet me pak.
Identiteti i një pjese të madhe të politikës në Kosovë nuk mund të mbijetojë, po aq sa peshku pa ujë, nëse nuk e përtërin or’ e çast urrejtjen ndaj një njeriu.
Prandaj, VV-ja dhe aneksi i saj nga LDK as sot e kësaj dite nuk gjejnë paqe kurdo që përballen me gjurmët e njeriut që, si për dreq, iu dëftohet si shajni edhe në ëndrra.
Nëse ata trazohen edhe nga fotografitë e ish-kryeministrit dhe presidentit, Hashim Thaçi, mund të merret me mend frika po ta kishin atë përballë.
Për gjynah, e vetmja kauzë që ende i mban bashkë albinkurtistë e vjosaosmanistë është tërbimi deri në nivele psikomatike ndaj Thaçit, një thaçofobi që ende prodhon përçudnime edhe midis institucioneve.
Më 2020, kur VV-ja e fronëzoi në krye te Kuvendit, Vjosa Osmani menjëherë ishte vërsulur drejt fotosit protokolar të Hashim Thaçit.
Fotografia hiqet, por trashëgimia?
Kjo luftë fotografish për të hequr korniza nga muret e për t’i hedhur ato në bodrume institucionesh ishte e vetmja mundësi për të çukitur mbi një trashëgimi të madhe politike.
Këto të mbërrime historike nuk fshiheshin ndryshe pos me akte fizike ose duke llogaritur në vesin harrestar të njerëzve.
Referenca për Hashim Thaçin mbetet e pashmangshme në rrëfimtarinë mbi shtetbërjen dhe shtetndërtimin në Kosovë.
Te detraktorët e Thaçit, edhe fotografia e tij shfaqet si torturë e rëndë e bezdi makthi, e tillë që prodhon një parehati.
Paradoksi i regjimit të albinkurtistëve dhe vjosaosmanisteve ka qenë pasiguria kundrejt Thaçit.
Pesëdhjetë e një përqindëshi i votave nuk mjaftoi për ta hequr fiksimin vetëdijësor e nënvetëdijësor pas tij.
Thaçi ishte torturë edhe kur ishte i pranishëm me sipraninë e tij, e po njësoj torturë edhe kur nuk ishte i pranishëm.
Madje, edhe në kushtet e privimit nga liria, trashëgimia e tij ngjan si një rrokaqiell përballë një shkretie depresive që solli bota e bythëpraptë e populizmit.
Kur akti i mbramë i një drame absurde po mbyllet me albinkurtistë e vjosaosmanistë që po ia nxjerrin sytë shoqishojt, është dikush që rrëfimin e tij personal e ka të shkartisur me vetë çlirimin dhe pavarësimin e vendit.
Realiteti i ri nga 1999: dialog me Thaçin
Në shtator të 2001, gazetari dhe autori britanik James Pettifer botoi libërthin “Koncept për realitetin e ri: dialog me Hashim Thaçin”.

Botimi në anglisht i libërthit, sipas Pettiferit, bëhej me qëllim që vizioni i udhëheqësit 33-vjeçar nga Kosova të bëhej i njohur gjithandej në Perëndim.
Sipas tij, “Hashim Thaçi, personalitet i respektuar dhe i dëshmuar gjatë luftës, është një përfaqësues kryesor i Kosovës së re, pikëpamjet e tij dhe të partisë që ai udhëheq duhet të bëhen më të njohura dhe të kuptueshme”.
“Pa atë çfarë ai dhe partia e tij paraqet, Kosova nuk mund të jetë në pozicion të tillë që të vazhdojë kursin e saj drejt pavarësisë dhe të ndahet nga shtypja e trashëguar e Jugosllavisë.”
“Përfaqësues i Kosovës së re”
Në këtë kohë, Albin Kurti ndodhej në burgun e Pozharevcit, Donika Gërvalla-Schwarz botonte në revista gjermane pamflete kundër UÇK-së, kurse Vjosa Osmani ishte një studente e panjohur që sapo kishte regjistruar Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Ndërsa kryengritja çlirimtare mori flakë në Maqedoni, zëri i Thaçit si “përfaqësues i Kosovës së re” u bë grishje kudo në Perëndim që të honepseshin kërkesat e shqiptarëve.
Në bashkëbisedimin me Pettiferin, ai ngriti gishtin ndaj strukturave komuniste në Maqedoni si përgjegjëset kryesore për gjendjen e trazuar.
“Shqiptarët dhe qytetarët e tjerë jomaqedonas vazhdimisht kanë qenë të diskriminuar në këtë republikë. Mund të them se zyrtarët e tashëm maqedonas në një masë janë edhe vetë viktimë e projekteve të mëhershme kushtetuese të ish-strukturës komuniste të Gligorovit, të konvertuara në demokratike. Burimi i trazirave të fundit në këtë republikë nuk janë shqiptarët, por është Kushtetuta e Maqedonisë, e cila favorizon një grup të qytetarëve në dëm të të tjerëve”.
Kosova nuk e harron Maqedoninë
Drejtor politik i UÇK-së dhe, më pas, kryeministër i qeverisë së përkohshme, Thaçi u bë zëri që foli për shqiptarët edhe përtej Kosovës.
Ai, parasëgjithash, përcolli drejt qendrave perëndimore vërejtjen se Maqedonia mund të ekzistonte si republikë e të gjithëve, e jo si shtet i pronësuar vetëm nga maqedonasit.
“Unë dhe qytetarët e Kosovës vazhdimisht kemi mbështetur kërkesat e shqiptarëve për t’i realizuar të drejtat legjitime. Maqedonia mund të funksionojë si vend demokratik vetëm si republikë e të gjithë qytetarëve dhe jo si republikë e maqedonasve dhe e qytetarëve të tjerë”.
Vizioni që doli i fituar
Në bashkëbisedim me gazetarin britanik, udhëheqësi i PDK-së i gëzohej nxehtësisht marrëveshjes së Prizrenit, më 22 maj 2001, ku faktori politik e ushtarak i shqiptarëve të Maqedonisë u bashkuan mes vete.
Sipas Thaçit, kjo ujdi ishte “historike dhe shpëtimtare për shqiptarët atje”.
“Marrëveshja e arritur në Ohër, është përshëndetur dhe gëzon mbështetjen tonë, mirëpo nuk do të thotë se kriza në Maqedoni është zgjidhur. Siç po shihet nga pengesat që nxjerrin autoritetet maqedonase, është problem në zgjidhje e sipër. Unë i besoj angazhimit ndërkombëtar për implementimin e marrëveshjes së Ohrit. Në Maqedoni do të triumfojë drejtësia dhe demokracia mbi diskriminimin dhe padrejtësinë.”
25 vite më vonë, ky vizion i Thaçit për shqiptarët në Maqedoni doli i fituar.
Marrëveshja e Ohrit e ndryshoi qenësisht fundamentimin e gabuar të Maqedonisë, e cila nga një shtet ekskluziv i maqedonasve u bë shtet gjithëpërfshirës me shqiptarët si element shtetformues.
25 vite më vonë, fotografia e Hashim Thaçit u hodh midis palavirave në bodrumet e institucioneve të Kosovës. /Nacionale/