'Flirtimi' i Sveçlës dhe nervoza e LDK-së: A mund të kalojë Përparim Rama në Vetëvendosje?
Po bëhen pesë muaj prej që Përparim Rama është kryetar i Komunës së Prishtinës dhe punët e tij – e bile as fillimi i tyre – nuk duket gjëkundi në horizont. Përtej shënimit të festave, heqjes së pengesave në rrethrrotullime dhe shtrenjtimit të çmimit të taksive, dora e tij përparimtare ende nuk ka guxuar të prekë mbi lëmshet e shumta të kryeqytetit. Por, a mund të ketë prapa kësaj një lojë politike?
Telashet në kryeqytet duken më urgjente se kurrë dhe lëngojnë për zgjidhje të ngutshme, por Përparim Ramës – kryetarit të Prishtinës të kandiduar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – nuk po i ngutet.
Kjo qasje e avashtë e punës është kritikuar në rrjetet sociale të Internetit dhe në debate televizive nga analistë e opinionistë të shumtë.
L O J A
Sidoqoftë, partia e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje – qendra në Prishtinë – ka hezituar ta bëjë një gjë të tillë, përkundër që njihet për kritika të ashpra e ndonjëherë edhe sulme ad hominem.
Dy javë më parë, Nacionale nga burime brenda LDK-së kishte mësuar që kryetari i partisë Lumir Abdixhiku “kishte humbur kontrollin" mbi Ramën. Një kontroll që përfshin llogaridhënien e zakontë të një anëtari të partisë me kryetarin e tij.
“Të gjithë janë nervoz me të”, i kishte thënë Nacionales ky burim në LDK, për të vazhduar më tej duke thënë: “Ai duket që nuk është as i përgjegjshëm për pozitën e ka, e nuk është as i vetëdijshëm se fitorja e tij ishte një reagim i shoqërisë për ta penalizuar Vetëvendosjen.”
Dhe, si të mos mjaftonte kjo nervozë e LDK-së me kryetarin e Prishtinës, gjatë ditës së sotme u lajmërua më në fund Vetëvendosje e Prishtinës.
'F L I R T I'
Për qasjen e avashtë në Prishtinë, VV-ja e Prishtinës nuk akuzon Përparim Ramën por (sic) mungesën e pushtetit politik prej tij.
“Pozita e kryetarit të Prishtinës përveç se pozitë menaxheriale është edhe pozitë politike. Mendojmë se Ramës i mungon përkrahja politike.” – tha shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla.

Kjo nënkupton që për mos-punën e deritashme nuk ka faj kryetari që ka kompetencat të cilat i takojnë me ligj, por partia e tij (LDK) që nuk po i jep përkrahje politike. Pra, për ta thënë shkurt e shqip: nuk është Rama që po del nga LDK-ja por LDK-ja që po del nga Përparim Rama.
“Ne si VV i kemi ofruar mbështetje Ramës për të gjitha projektet të cilat kanë të bëjnë me qytetin dhe të mirën e qytetarëve, mirëpo për këto katër muaj nuk është dëshmuar se ka ndonjë projekt të tillë apo iniciativë të tillë që kish me lehtësua jetën e qytetarëve në radhë të parë dhe në anën tjetër kishte me filluar edhe implementimin në programin në të cilin Rama i ka fituar zgjedhjet në Prishtinë” – vazhdoi më tej z. Sveçla.
Se a mund të shihet një gjë e tillë si ‘flirtim’ i partisë që ka pushtetin qendror me njeriun me Përparim Ramën nuk dihet.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk kanë reaguar ende zyrtarisht pas deklaratave nga Vetëvendosje se kryetarit të Prishtinës i mungon përkrahja politike prej tyre.
LDK në Prishtinë është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kalimi potencial i Ramës në Lëvizjen Vetëvendosje do të mund të prishte balancin e arritur politik në komunë megjithëse do t'i jepte përkrahjen politike nga pushteti qendror.