Finlanda nuk pret përparim në procesin e anëtarësimit në NATO, para zgjedhjeve në Turqi - NACIONALE

Finlanda nuk pret përparim në procesin e anëtarësimit në NATO, para zgjedhjeve në Turqi

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Ministri i Jashtëm finlandez nuk është duke pritur ndonjë përparim në aplikimin për anëtarësim në NATO të vendit të tij dhe të Suedisë, para se të mbahen zgjedhjet e Turqisë në muajin maj.

Sipas transmetuesit publik finlandez Yle, Pekka Havvisto, ka shtuar se megjithatë beson që vendet skandinave janë në rrugën e duhur për t’u bashkuar përfundimisht me aleancën ushtarake.

"Për mendimin tim, rruga për në NATO nuk është mbyllur për asnjë vend," - citohet të ketë thënë Haavisto.

Kujtojmë se Finlanda dhe Suedia po kërkojnë t'i bashkohen NATO-s, pasi pushtimi rus i Ukrainës ka ngritur shqetësime për sigurinë në të gjithë rajonin, megjithatë Turqia ka ngritur kundërshtime – dhe sipas rregullave të NATO-s, një shtet anëtar mund të vërë veton ndaj anëtarësimit të një aplikanti të ri.

Haavisto po ashtu ka treguar se Finlanda nuk ka plane të anëtarësohet pa fqinjin e saj nordik.

“Nuk jemi me nxitim, kemi kohë të shkojmë së bashku me Suedinë”, - ka thënë ai për CNN.

Komentet e Haavisto-s, vijnë disa ditë pasi Ankaraja bëri thirrje për shtyrjen e një takimi trepalësh që do të mbahej në shkurt midis Turqisë, Suedisë dhe Finlandës.

Si arritën deri në këtë pikë:

Marrëdhëniet turko-suedeze pësuan një goditje të madhe javën e kaluar pasi Policia e Stockholmit autorizoi një protestë jashtë Ambasadës Turke në Stockholm të shtunën e kaluar, në të cilën politikani kundër imigracionit Rasmus Paludan i vuri zjarrin një kopjeje të Kuranit. Më pas, protestuesit dolën shpejt në rrugët e kryeqytetit turk, ku si përgjigje ndaj djegies së librit të shenjtë disa dogjën flamurin e Suedisë jashtë ambasadës së saj në Stamboll.

Ndërkohë edhe agjencia shtetërore e lajmeve e Turqisë, Anadolu, ka raportuar të enjten se takimi rreth aplikimeve të Suedisë dhe Finlandës në NATO, është shtyrë në dritën e "mjedisit politik jo të shëndetshëm".

Lajme të ngjashme