“Figurat pro-Putinit sërish në qeverinë e Serbisë”: Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?
Të hënën, Millosh Vuçeviqi, mandatar për formimin e Qeverisë së Serbisë, i prezantoi emrat e kabinetit të ardhshëm. Ndonëse nuk kishte ndonjë risi, befasia më e madhe qëndroi te një emër: Aleksandar Vulin. I sanksionuari nga ShBA-ja për lidhje me Rusinë e trafikun e drogës, pra Vulini, është propozuar për hiç më pak se zëvendëskryeministër i Serbisë. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?
Në fjalën e tij, Vuçeviqi theksoi se Serbia nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë.
“Serbia nuk mundet dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve” - ka thënë Vuçeviqi.
Avdi Smajljaj, profesor universitar, beson se përfshirja e figurave të afërta me Moskën në pozita të larta në qeverinë serbe është një mesazh që Beogradi dëshiron t’ia dërgojë BE-së. Në një prononcim për Nacionalen, profesori Smjaljaj vlerësoi se ky kabinet do ta largojë Serbinë edhe më shumë nga zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën.

“Sa i përket Kosovës, kjo e largon edhe më tutje Serbinë nga zotimet për implementimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, duke i shtuar qasjes së vet radikale karshi Kosovës, por edhe duke i dobësuar mundësitë që BE-ja mund të shtyjë një zgjidhje të qëndrueshme, duke e marrë për bazë edhe nuhatjen e Serbisë se BE-ja është po aq e interesuar që Serbia të bëhet pjesë e BE-së, sa edhe vetë Serbia” – tha Smajljaj.
Në analizën e tij, Smjaljaj vlerësoi se kjo përbërje e propozuar për kabinetin e ardhshëm të qeverisë në Serbi nuk është lajm i mirë.
“Për ata që besojnë se zgjidhje mund të bëhet me dialog, kjo përbërje e qeverisë është një lajm jo i mirë. Për ata që shihin alternativa të tjera për zgjidhje, kjo përbërje e qeverisë mund të përdoret për justifikime të qëndrimeve të tyre” – përfundoi Smjaljaj.
Ndërsa profesori tjetër universitar, Milazim Krasniqi, ditë më parë shkroi se “Vulini është aty për të bërë Serbia pak hajgare me ShBA-në”. Duke e komentuar figurën e Vulinit, që u propozua për funksionin numër dy në Qeverinë e ardhshme të Serbisë, profesori Krasniqi vlerësoi se ai mund të jetë aty për koordinim me Millorad Dodikun, lideri esktremist i Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, dhe Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i kërkuar ndërkombëtarisht nga Kosova për sulmin në Zveçan.

“Në qeverinë e re të Serbisë do ta kenë fjalën kryesore emrat e vjetër, që dirigjohen nga Vuçiqi. I. Daçiqi si ministër i brendshëm, B. Gashiqi si ministër i mbrojtjes, M. Vuçeviqi si kryeministër dhe Vulini si anëtar i kabinetit, do ta zbatojnë strikt politikën e Vuçiqit. Këta janë ruajtësit e karriges, ku Serbia ulet me Rusinë. A do të rrëzohet kjo karrige e t’u ngulet në prapanicë, mbetet të pritet. Por e qartë është që sërish njerëzit pro Putinit do të jenë figurat qendrore të qeverisë serbe. Bile Vulini është aty për të bërë Serbia pak hajgare me SHBA-në. Përtej saj, Vulini mund të jetë aty për koordinim me Dodikun e Radojçiqin” – shkroi ditë më parë Krasniqi.
Sjellim ndër mend që Deparatamenti amerikan i Shtetit, përmes një deklarate, u shpreh i zhgënjyer për propozimin e Vulinit.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë rol në vendimet e qeverisë së Serbisë. Jemi të zhgënjyer kur shohim dy persona të sanksionuar të propozohen për poste në qeverinë e re. Qëndrimi ynë për Vulinin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara” – thuhet në përgjigjen e DASH-it për “Zërin e Amerikës”.