“Fëmijët flasin ashtu”, “për t’i hyrë në qejf Trumpit”: Dënohen kritikat e Konjufcës për administratën Biden
Kritikat e kryeparlamentarit Glauk Konjufca ndaj administratores se ish-presidentit amerikan Joe Biden për qasjen ndaj Kosovës kanë nxitur reagime të ashpra në vend.
Një gjë të tillë opozita e ka vlerësuar si papërgjegjësi të pushtetit në Kosovë.
Përfaqësuesit e tri partive politike opozitare kanë vlerësuar se deklaratat e tilla janë të dëmshme për Kosovën.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Konjufca është i vogël për ta luajtur rolin e popullistit të madh.
“Një qeveri e papengueshme Kurti ka arritur ta zëvendësoj rolin e Kosovës me rolin e Serbisë. Ne i kemi pasur figurat e bardha në shahun ballkanik, Serbia i ka pasur të zeza, tash i kemi ne te zeza. Përgjegjësia duhet të kërkohet në Prishtinë. Konjufca është shumë i vogël që ta luaj rolin e një populisti të madh evropian që të ballafaqohet me Trumpin dhe të tjerët. Përgjegjësia se çfarë ka ndodhur në rajon i takon Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, në RTV21.
Kritik ndaj deklaratës së Konjufcës është shprehur edhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.
Sipas tij, në stilin e Konjufcës flasim vetëm fëmijët.
“E para e punës fëmijët në politikë flasin ashtu, nuk mundesh me qenë krejt kohën brutalisht kundër Trumpit e tash me thanë edhe ata janë kanë të këqinj”, ka thënë Gjini në emisionin “Pressing”.
Ai ua ka rikujtuar krerëve të VV-së deklarata që i kanë pasur ndaj presidenti Donald Trump.
“Edhe Glauku edhe Kurti duhet me ditë që në fillim të qeverisjes Biden, është pikërisht ky Albin Kurti që ka qenë fyes ndaj SHBA-së”, është shprehur Gjini.
Kurse, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se Konjufca një gjë të tillë e bën për shkak të administratës së re.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se kështu tentohet të ia bëjnë qejfin administratës së Trumpit tash.
“E shanin Presidentin Ibrahim Rugova si kolaboracionist të Serbisë ditën e varrimit të tij më 26 janar 2006, kur qindra mijëra kosovarë i bënin nderime Atit Themeltar të shtetit tonë. E kanë denigruar vazhdimisht Presidentin historik Albin Kurti me sejmenët e vet. Tash përmes satelitëve të tyre po përpiqen pafytyrësisht të joshin rugovistë për hesape të veta elektorale. Pafytyrësisht po e denigrojnë Presidentin amerikan Biden për zgjedhjen e të cilit shpreheshin para katër vjetësh, për të thënë se nuk e donin Trumpin President të SHBA-ve. Mendojnë hipokritët se kështu ia bëjnë qejfin Administratës së Trumpit tash”, ka shkruar ai, duke e vazhduar kritiken ndaj pushtetit.
“Të pabesë dhe të pabesushëm janë lojcakët, demagogët që e duan pushtetin por jo shtetin e Kosovës. Dhe kërkojnë votë për pushtet për ta izoluar edhe më keq Republikën e Kosovës, të cilës me sjelljen e vet të papërgjegjshme i kanë sjellë sanksione ndërkombëtare prej miqve dhe aleatëve tanë tradicionalë. Kjo klikë pushtetore anti-demokratike duhet të shkojë në opozitë me votë masive qytetare më 9 shkurt 2025”, ka shkruar Hamiti.