Evropianët e “zhgënjyen”, Kurtit i kërkohet koordinimi me amerikanët
Në vitin 2020, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, atëbotë opozitar, zëshëm kritikonte kritikat e ish-presidentit Hashim Thaçi kundrejtë diplomatëve evropianë, saktësisht ndaj kryediplomatit Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për Dialog, Mirolav Lajçak.
Duke shtuar edhe argumentin gjeografik, Kurti mbronte “zellshëm” BE-në duke thënë se Thaçi më shumë po kritikonte diplomatët e Brukselit se presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është atje në kufi me Meksikë. Thaçi më keq po flet për Borrellin, Lajçakun e Brukselin se sa për Daçiqin, Vuçiqin e Beogradin. Borrelli e Lajçaku nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë,” – thoshte Kurti në vitin 2020.
Megjithatë, Kurti sot mori një “dush të ftohtë” nga Bashkimi Evropian, pasi me të dalë nga takimi urgjent për çështjen e targave mes tij dhe Vuçiq, Kurti u kritikua për “destruktivitet” nga Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
“Por pas disa orësh diskutimi të dyja palët, dy palët nuk u morën vesh për një zgjidhje sot. Mendoj se është në përgjegjësinë e tyre për çdo eskalim të mundshëm të situatës. Për transparencë duhet të them se kemi se ne e kemi propozuar një marrëveshje që mund ta shmangte këtë situatë. Vuçiq e pranoi këtë propozim Kurti jo”, ka thënë pas takimit kryediplomati Borrell ndër të tjera.
Madje, për mosdakordim të një marrëveshje, edhe Kurti bëri “fajtor” ndërmjetësuesin Borrel, duke thënë se ai hoqi dorë nga zotimet e BE-së.
“Pra, po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësit, në këtë rast Borrelli, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti pas takimit.
Kërkesat që Kurti të pozicionohet nga amerikanët
Deklarata e Borrell nga opinione të ndryshme në Kosovës u lexua si “mbajtje anë” e Bashkimit Evropian nga Serbia, rrjedhimisht shtuan kërkesat që Kurti të rreshtohet nga ShBA-ja dhe të përfillen kërkesat amerikane, më qartësisht, të dëgjohet kërkesa e tyre që të shtyhet për 10 muaj afati për targa, kërkesë e insistuese nga Shtetet e Bashkuara.
Një gjë të tillë Kurtit po ia kërkon edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.
Po ashtu, Haradinaj ka kërkuar nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të thërrasë seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK, për tejkalimin e situatës së krijuar, si dhe presidentes Osmani të mbajë rol aktiv në qetësimin e situatës.
Ndërsa qytetarëve serbë të Kosovës, Haradinaj iu bëri thirrje të përmbahen nga çdo veprim që mund që çojë në dhunë.
Kërkesë të tillë ka edhe deputeti i Kurtit, Haki Abazi, i cili kohëve të fundit shpesh nuk është pajtuar me qasjen qeveritare ndaj problemeve të ndryshme, është i mendimit se duhet të përfillet kërkesa amerikane për shtyrje 10 mujore për çështjen e targave.
Sipas tij, si rezultat mosshtyrjes Serbia ka arritur që të sabotojë procesin Gjermano- Françez, të vonojë procesin e ratifikimit të marrëveshjeve në procesin e Berlinit, dhe mos mbetet target i presionit nga SHBA dhe BE për mosvënien e sanksioneve Rusisë etë përfitoj nga rasti duke kornizuar Kosovën si kokëfortë, kornizë kjo e përgaditur me muaj të tërë.
“Rrjedhimisht, marrëveshja nuk ka qenë çështje orësh siç është thënë nga naiviteti i vazhdueshëm por ka qenë qëlimisht i pamundësuar!’, ka shkruar Abazi në llogarinë e tij në Facebook.
Abazi thotë se vendi nuk ka nevojë për trazira teksa mendon se zgjidhja për daljen nga kjo situatë është shtyrja për 10 muaj e çështes së targave.
“Nuk kemi nevojë për trazira në veri të vendit dhe duhet që sonte të dalim nga kjo situatë duke shtyer për 10 muaj zbatimin e planit për targat dhe të fokusohemi tek marrëveshja finale”, mendon Abazi.
Kurse, analisti Halil Matoshi kërkon nga Kurti që të pozicionohet nga ShBA-ja, ose në të kundërtën të largohet nga qeveria.
Albin, ktheu tek koncepti amerikan ose kheu te sh’pia!”, shkruan Matoshi në llogarinë e tij në Facebook, teksa mendon se Kurti sot mori një goditje nga evropianët, pasi që nuk u arritë marrëveshja për targa në Bruksel pas takimit të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Pasi Kryeministri kosovar nuk i bâni hesapë ShBA-në, mori edhe nji goditje nga europeanët. Pështyni, shani, ftigavnu e shtihavnu, shitni mend në Facebook, sa të mundeni, sepse Borrelli nuk i lexon komentet tueja të shkreta, por Kosova nuk ka tjetër alternativë pos rreshtimit me liderin e sigurisë sonë, Amerikën dhe Europën si fat e vlerë dhe gjeografi”, shkruan Matoshi duke shtuar se Kurti duhet të marrë veprime racionale në shërbim të sigurisë dhe paqes për qytetarët.
“Shteti nuk drejtohet tue akuzu të tjerët por me maturi e koordinim me aleatët: ShBA dhe Britaninë. Kurti ka fuqi politike. Duhet të gjejë moral politik e kurajë të rikthehet tek amerikanët!?”, thotë ai.
Për mosdakordim të një marrëveshje sot në Bruksel, presdenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq zbuloi detaje të negociatave disa orëshe përmes disa përgjigjeve shumë “diplomatike” dhe duke u viktimizuar në pothuajse çdo fjalë që tha për takimin e sotëm.
Mes tjerash Vuçiq tha që në fillim se ishte krenar për delegacionin serb sepse shkoi në Bruksel për të ruajtur paqen me çdo kusht. Ai theksoi se nuk ka asnjë nënë që do të donte që fëmija i saj t'i kthehej në arkivol, asnjë motër, asnjë grua.
