Eurodeputeti francez i lirë propagandon në Kosovë: Mafia shqiptare udhëheq me Kosovën, UÇK terroriste - NACIONALE

Eurodeputeti francez i lirë propagandon në Kosovë: Mafia shqiptare udhëheq me Kosovën, UÇK terroriste

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nicolas Bay, deputet i Parlamentit Evropian nga Franca, që me bindje është ekstremist i krahut të djathtë, po qëndron në Kosovë. Vizitën e tij, eurodeputeti francez e filloi më 27 tetor në veriun e Kosovës, ku qëndroi për një kohë, për të udhëtuar drejt Manastirit të Deçanit. Bay ishte edhe në Prizren, teksa postimi i tij i fundit nga udhëtimi në Kosovës është nga Graçanica, ku ka vizituar Manastirin e Graçanicës. Qytetet kosovare i ka ndryshuar, por gjuha e tij mbetet e njëjtë, ai është plot mllef e urrejtje ndaj Kosovës e shqiptarëve.

Anëtari i Frontit Nacional të politikanes kontraverese Marine Le Pen përdori një gjuhë aspak korrekte karshi shtetit kosovar. Secili shkrim i tij në Tëitter shpërfaqë një urrejtje ndaj shtetit të Kosovës, të cilën e quan shtet islamik të udhëhequr nga mafia shqiptare.

Eurodeputeti francez ka bërë propagandë të vazhdueshme në Tëitter, ku ndiqet nga mbi 100 mijë persona, kundër Republikës së Kosovës, duke e cilësuar si Kosovën si vend të pushtuar nga shqiptarët myslimanë.

Propagandë: UÇK në shënjestër

Bay po e viziton Ballkanin Perëndimor pas një ftese që mori nga deputeti i Parlamentit të Serbisë, Jovan Palaliq, e më të cilin eurodeputeti, siç shkruan vetë ai, diskutoi për situatën në Kosovë.

Nga Beogradi, francezi u nis për në veri të Kosovës, nga ku edhe filloi fushatën propaganduese kundër Kosovës e pro Serbisë.

Nga Ura e Ibrit, Bay postoi një fotografi me disa persona, të cilën ai tha se kanë luftuar në luftën e Kosovës, duke e quajtur UÇK-në “terroriste”.

Nga Mitrovica, Bay lëshoi edhe një video, duke theksuar se mbi urën e Ibrit, “serbët e krishterë mbrojtën territorin e tyre kundër sulmeve të terroristëve shqiptarë të UÇK-së.”

Tutje, Bay tha se aksionet e Policisë në Mitrovicë kanë për qëllim të frikësojnë serbët, të cilët ai i vlerëson si “mburojë e qytetërimit evropian”.

Nga veriu, eurodeputeti francez, që veten e quan katolik roman, shkoi në Manastirin e Deçanit, nga ku bëri disa postime në Twitter.

Biseduam me Abatin Sava Janjiq në Manastirin e Deçanit. Një xhevahir i krishterimit dhe një prani e vazhdueshme e murgjve për tetë shekuj, qoftë gjatë pushtimit osman, periudhës komuniste dhe sot, pushtimit shqiptar.”, shkroi Bay.

Për këtë takim shkroi edhe vetë Manastiri i Deçanit, që tha se Bay dhe kolegët e tij treguan interesim të veçantë për situatën në Kosovë dhe mbrojtjen e trashëgëmisë krishtere.

Ani pse iku nga veriu, Bay nuk harroi të vazhdonte të sulmonte UÇK-në, duke e akuzuar se kidnapoi dhe vrau 200 civilë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Që nga 29 tetori, eruodeputeti francez me bindje ekstreme po qëndron në Prizren, nga ku ka bërë disa postime.

Prizreni, qytet evropian dhe ish-qytet i mbretërve të Serbisë, sot është i pushtuar nga Shqiptarët myslimanë. Në këtë tokë të Evropës, kishat janë zëvendësuar nga xhamitë. Ndërkohë, qeveritë perëndimore kanë kthyer krytë anash”, shkroi Bay në mbishkrimin e videos të postuar përpara xhamisë qendrore në Prizren, "Sinan Pasha".

Edhe në një postim tjetër, Bay u mor me xhamitë e ndërtuara dhe kishat që sipas tij u rrënuan nga “shqiptarët myslimanë”.

Derisa në Kosovë janë shkatërruar 150 kisha, në 20 vitet e fundit janë ndërtuar 400 xhami. E ardhmja e qytetërimit tonë është në rrezik edhe këtu, në Prizren.”, shkroi ai.

Ai bëri edhe një tjetër postim në Twitter nga Prizreni, duke e bërë të qartë në mënyrë indirekte se nuk e njeh shtetin e Kosovës, pasi e futi në thonjëza termin “qeveri”.

Dëshmi tjetër se “qeveria” kosovare është vetëm një derivat i mafisë shqiptare dhe shtet i islamizuar: ata përdorin drejtpërdrejt fëmijët për propagandën e tyre duke i bërë të valëvijnë flamurin shqiptar në rrugët e Prizrenit.”, shkroi ai.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovës për të pyetur nëse janë në dijeni për propagandën kundër Republikës së Kosovës nga ana e Bay. Po ashtu, Nacionale pyeti Policinë nëse janë duke e analizuar përmbajtjen plot urrejtje ndaj shqiptarëve të eurodeputetit francez. Deri në botimin e këtij shkrimi, Policia nuk ka kthyer ende përgjigje.

Lajme të ngjashme