Euractiv: Serbia formalisht refuzon marrëveshje të ndërmjetësuara nga BE-ja me Kosovën - NACIONALE

Euractiv: Serbia formalisht refuzon marrëveshje të ndërmjetësuara nga BE-ja me Kosovën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Platforma evropiane mediale Euractiv ka raportuar sot se Serbia ka refuzuar edhe formalisht që të pajtohet me pika të ndryshme të marrëveshjes me Kosovën, që ishte mundësuar nga BE-ja për të normalizuar raportet mes vendeve.

Një gjë e tillë është bërë me anë të një letre të shkruar nga kryeministrja serbe Ana Bërnabiq.

“Letra, me përplot gabime drejtshkrimi, thotë që Serbia është e përkushtuar ndaj procesit integrues në BE e negociatave dhe se rreshtohet me deklaratën e “Samitit BE-Ballkan Perënidmor, Bruksel, 13-14 qershor 2007 si deklaratë politike dhe dokument ligjërisht jo-obligues.” – shkruan ky medium.

Më tej, në letrën e Bërnabiq thuhet që dokumenti në fjalë – Marrëveshja e Brukselit më 27 shkurt – nuk përbën traktat ligjërisht obligues nën ligjin ndërkombëtar.

“Për më tepër, rreshtimi me këtë Deklaratë nuk prek faktin që Kosova dhe Metohija mbetet pjesë integrale e territorit të Republikës së Serbisë nën administrim ndërkombëtar nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 nga viti 1999,” – thekson tutje dokumenti.

Në atë tekst thuhet edhe se ka kritika të ashpra për mënyrën se si e ka drejtuar dialogun BE-ja gjatë këtyre trembëdhjetë viteve të kaluara.

Kujtojmë që Bashkimi Evropian është kritikuar në vazhdimësi se ka pasur politikë të butë ndaj Serbisë për çështje të ndryshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit në të cilën Kosova përveç që nuk mori njohjen de jure u detyrua të lëshonte pe në një mori çështjesh tjera.

Për më tepër, Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së që prej qershorit të këtij viti shkaku i veprimeve në fund të muajit maj me kryetarët shqiptarë të komunave veriore me shumicë serbe. Në anën tjetër, përkundër agresionit ushtarak në Banjskë më 24 shtator vazhdon të mos ketë kurrfarë masash ndëshkuese ndaj Serbisë.

Lajme të ngjashme