“Është veprim shkatërrues”; “po flasin jerm”: Kritikohet fushata ofenduese e VV-së ndaj ambasadorit amerikan
Kundërshtimet e ShBA-së dhe BE-së që ura mbi lumin Ibër të mos hapet në mënyrë të njëanshme ka nxitur eksponentët e VV-së që të nisin një valë të re kritikash ndaj aleatëve të Republikës së Kosovës. Nga këto kritika nuk është kursyer as ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Madje, fyerjet ndaj diplomatit amerikan kanë ardhur edhe nga deputet i VV-së, Alban Bajrami.
Kjo fushatë ofenduese e linçuese ndaj ambasadorit amerikan është parë si tejet shqetësuese nga njohësit e rrethanave politike dhe opozita.
Sipas tyre, një gjë e tillë po bëhet me lejen e kryeministrit Albin Kurti.
Ish-kryediplomati i Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë se sulmet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj qeverisë amerikane janë të qëllimshme.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Selimi ka thënë se kush e njeh VV-në, e di se këto urdhëra mund të vijnë vetëm nga kryeministri Albin Kurti.
Kjo sipas Selimi, është shkatërruese.
“Sulmi i drejtpërdrejtë i deputetëve të kastës në pushtet (ose kultit) në Kosovë ndaj ambasadorit të ShBA-së dhe qeverisë amerikane nuk është i rastësishtëm, e as i pakoordinuar. Kush e njeh VV-në, e di se vetëm lideri i dashur mund të jap urdhëra dhe të lejojë deputetët e tij të sulmojnë ShBA-në. Është veprim i qellimshëm, por diplomatikisht shkatërruar.”, ka shkruar ai.
Edhe anëtari i Kryesisë së Nismës, Zafir Berisha, ka reaguar ndaj kësaj fushate të ulet.
Ai ka bërë me dije se të tillët janë butak dhe servil të kryeministrit Albin Kurti.
“Zakonisht diktatorët dhe aventurierët rreth vetes kanë servilë dhe shërbëtor të cilët në munges të identitetit personal, zvarriten si pakurrizor për të treguar besnikrin që kanë ndaj padronit. Si butak që janë, deputet të LVV dhe ekponent të këtij sekti, ditëve të fundit janë lëshuar në një fushat të ashpër ofenduese dhe linçuese kundër ambasadorit të SHBA dhe përfaqësuesit të BE, për të arsyetuar veprimet për efekte elektorale që po bën regjimi i Albin&Dojena. Përveq historis që na tregon si si përfundojn këta diktator dhe avanturier, ne që i kemi do vite e kemi edhe përvojën e jetës dhe i kemi përjetu fundin e diktaturave…!”, ka shkruar Berisha.
Kurse, analisti Halil Matoshi është tallur me deputetin e VV-së, Alban Bajrami, i cili ka fyer ambasadorin amerikan në Kosovë.
Matoshi ka thënë se deputeti në fjalë flet jerm.
“Deputeti Alban Bajrami flet jerm 🤮 Po i përgjigjem alegorikisht me atë që Presidenti Lyndon Johnson i tha ambasadorit grek më 1964 (kriza e Qipros) për sovranitetin? Presidenti Lyndon Johnson pa mdyshje u tegoi shteteve të brishta diçka për sovranitetin: ‘Në p… t’sames Parlamenti dhe Kushtetuta juej …Ne u paguajmë shumë dollarë të blertë amerikanë grekëve, zoti ambasador. Nëse kryeministri juej më flet për demokracinë, Parlamentin dhe Kushtetutën, ai Parlamenti dhe Kushtetuta e tij mund të mos zgjasin shumë.’”, ka shkruar Matoshi në profilin e tij në “Facebook”.
Në një debat në tëvë1, deputeti i VV-së, Alban Bajrami, ka thënë se diplomati amerikan nuk merr në ura.
Deputeti i VV-së ka thënë se Honenier nuk duhet të përzihet në çështje tjera, por duhet të qëndrojë në ambasadë.
"Ambasadori amerikan nuk merr vesh në ura, ai duhet me nejtë në ambasadë. Në Kosovë në një kohë edhe zgjedhjet u caktojshin në koordinim me ambasadat”, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami nuk është vetmi zyrtarë i lartë i VV-së që ka kritikuar e fyer ShBA-të dhe aleatët e Kosovës. Në rrjete sociale, eksponentë të ndryshëm të VV-së kanë ndërmarr fushata të ndryshme, duke fyer aleatët kryesorë të Kosovës.