"Është shumë afër", Konjufca paralajmëroi padinë për gjenocid ndaj Serbisë: Çka dihet? - NACIONALE

"Është shumë afër", Konjufca paralajmëroi padinë për gjenocid ndaj Serbisë: Çka dihet?

11 muaj më parë

nga Arbër Ramadani

Padia për gjenocid të Serbisë në Kosovë gjatë luftës së fundit ishte njëri ndër premtimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje para se të vinte në pushtet. Edhe pas më shumë se dy viteve në pushtet, kjo padi nuk është përpiluar. Çka thonë tash? A mund ta padisë vërtetë Kosova Serbinë?

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të hënën e 22 majit ka deklaruar se Kosova është afër përfundimit të padisë profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Konjufca pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se për padinë ndaj Serbisë janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional.

“Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhë një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë, edhe sot dhe mund të konstatoj që kjo është shumë afër…nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veç se e dijë që është bërë një punë e madhe deri tash, janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional, që kanë njohuri në këtë fushë për ndërtimin e një padie profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe mendoj që është bërë një punë e mirë deri tash, është afër por për të gjitha hollësitë ua shtroni pyetjen Qeverisë“, tha ai.

Kurti, Haxhiu

Albin Kurti mbase ishte personi më i zëshëm në Kosovë, i cili kishte avokuar për të drejtën, siç e quante ai, që Kosova të formulojë një padi të tillë ndaj shtetit serb.

Kurti gjatë fushatës elektorale premtonte se Qeveria e tij do ta kishte prioritet këtë nismë, e kur erdhi në pushtet, përsëri nuk është se hoqi dorë siperfaqësisht nga ky zotim.

Ai së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, deklarativisht kanë qëndruar në ballë të kësaj nisme.

Jemi të bindur se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, në luftën e fundit dhe kjo meriton një padi, e Qeveria e Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë...” - deklaronte Kurti, edhe në cilësinë e Kryeministrit.

Çka thonë njohësit?

Kritik i madh i këtij premtimi qeveritar që nga fillimi ishte Drejtori i Institutit për Drejtësi në Kosovë, Ehat Miftaraj.

Miftaraj ishte e është kritik, sepse sipas tij premtime si këto shfrytëzohen vetëm për fushatë elektorale, meqenëse formalisht e juridikisht, Kosova nuk ka kapacitete për ta bërë një gjë të tillë. Sidomos jo, pa u bashkërenduar me ShBA-të dhe BE-në.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi edhe gjatë fushatave elektorale në vitet 2019 por edhe 2021, kishte kërkuar që partitë politike të mos premtojnë gjëra të cilat janë të paarritshme ose vështirë të arritshme pa përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë.

E njëjta kishte nënkuptuar edhe lidhur me padinë për gjenocid apo padinë për kompenzimin e dëmeve të luftës.

Të njejtin qëndrim e mbajmë edhe sot, kjo për faktin se në aspektin formal, Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padi për gjenocid ndaj Serbisë, padi e cila do të konsiderohej e pranueshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Derisa Kosova nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara, derisa Kosova nuk e fiton subjektivitetin ndërkombëtar në bazë të asaj që e përcakton karta e OKB për të pasur të drejtën që ta ratifikoj statutin e GJND, në këtë fazë thjesht mund të bisedojmë por nuk është se mund të ndërmarrësh një hap formal për të paditur Serbinë.

Çdo veprim i njëanshëm i Kosovës pa pajtim me SHBA-në dhe BE-në, kam frikë se do të kishte kundërefekt dhe do të vinte Kosovën në një situatë të pafavorshme, ku besoj publiku dhe qytetarët që kuptojnë sadopak nga politika dhe duan ta shohin me sy të pavarur politikbërjen në Kosovë tanimë e kuptojnë qartë se sa e rëndësishme është koordinimi dhe bashkëpunimi me ShBA dhe vendet aleate në procese që lidhën me fatin e republikës së Kosovës.” – ka thënë Miftaraj për Nacionalen

Në anën tjetër, profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu sa i përket konkretizimit të aktpadisë ka thënë se është tejet i pakënaqur me qeverinë aktuale. Sipas tij, në përgjigjjet për Nacionalen, vitin e kaluar, Salihu ankohej se po punohet tepër ngadalë në këtë aspekt.

Këta po kan qejf, dëshirë, por me e përgatitë aktpadinë për gjenocid duhet të punohet së paku 3-4 vjet, në mënyrë sistematike prej 10 deri në 12 ekspertëve, në mënyrë që të grumbullohen, sistemohen, argumentohen e dokumentohen të gjitha provat, në mënyrë që të fillohet procedura për ngritjen e padisë për gjenocid,” - tha profesori Salihu.

“Qeveria e re e ka pasë në program parazgjedhor një premtim të tillë, por ngadalë janë duke shku. Një vit e gjysmë po kalon, nuk po punohet siç duhet në atë drejtim. Keq, shumë keq u bë. Po nervozohem me këtë mospunë,” - përfundoi Ismet Salihu.

Qeveria?

Gazeta Nacionale ka provuar të kontaktojë Zyrën e Kryeministrit, meqenëse kjo kompetencë bie mbi të, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. As nga Ministria e Drejtësisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve tona.

Kujtojmë se, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13.500 persona. E muaji më i trishtë ishte ai i prillit të vitit 1999, kur u vranë 4.082 persona.

Padia për gjenocid ndaj Serbisë vazhdon të jetë ndër temat më të paqarta në vend.

Dyshimet për ligjshmërinë e një akti të tillë, meqenëse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, e dyshime për vullnetin politik në lidhje me këtë temë vazhdojnë ta përcjellin debatin publik.

Në anën tjetër, Qeveria shpeshherë refuzon të përgjigjet për specifikat e temave të ndërlikuara si kjo.

Një gjë është e sigurt: padia për Gjenocid kundër Serbisë ka qenë ndër zotimet kryesore të partisë në pushtet, e mandati i kësaj Qeverie, të paktën ai i rregullti, mbaron pas dy vjetëve e një muaj. Deri atëherë, Qeveria e Kosovës ka kohë ta hedhë në letër këtë padi, për ta përmbushur këtë zotim, e cila mund të ndihmohet edhe nga Instituti për Krime Lufte, që është një nismë tjetër e kësaj qeverie.

Ose të dalë ta sqarojë publikun e sidomos votuesit e saj, në rast se tërhiqen nga ky premtim.

Lajme të ngjashme