Escobar: Po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, duhet të bëhet tani - NACIONALE

Escobar: Po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, duhet të bëhet tani

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kritika për mospërpjekje në zbatimin e marrëveshjeve të arritura ka ardhur nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar. Ai theksoi nevojën për angazhim më të madh duke inkurajuar palët të marrin masa të menjëhershme për të zbatuar krejt çka është pajtuar. Në një intervistë të dhënë për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), ai tha se asnjëra prej palëve, Kosova dhe Serbia, nuk po respekton marrëveshjen.

Në këtë intervisstë, zoti Escobar ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e përpjekjeve në zbatimin e marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar veçanërisht Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po presin me padurim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit.

"Me duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash," - ka thënë emisari i ShBA-së.

Më tej Escobar ka thënë se ShBA deshiron që obligimi për themelimin e Asociacionit të realizohet sa më parë.

"Është përgjegjësi kryesore e Kosovës që të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Çka duam ne si SHBA që është statuti për Asociacionin do të duhej kryer e të bëhet sa më parë. Po shpresoj që kjo të kryhet së shpejti," - ka thënë ai.

Sa i përket diskutimeve me zyrtarët kosovarë, Escobar tha se ende nuk kishte biseduar me presidenten Osmani, por kishte pasur takim me kryeministrin Kurti në Bruksel.

Në lidhje me mospërpjekjen e Serbisë për zbatimin e marrëveshjes, z. Escobar u shpreh se nuk kishte pasur mundësi të bisedonte me presidentin serb gjatë vizitës së tij në Podgoricë.

Ndër hapat që Serbia duhet të ndërmarrë, Escobar theksoi rikthimin e minoritetit serb në institucionet shtetërore dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

"Mund të them se për Serbinë dhe Kosovën urgjente është që të rifokusohen në normalizim, që të punohet për rikthim të serbëve në institucione dhe të fillojnë të mendojnë si t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kjo është edhe esenca e krejt marrëveshjes. Ne duhet të fillojmë menjëherë me vullnet të mirë në implementimin e të gjitha elementeve të saj," - ka thënë Escobar.

Lajme të ngjashme