Çka (nuk) thanë Chollet dhe Escobar dje në raportimin e vështirë në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë?
Dje ishte një përballje jo e lehtë për dy top diplomatët amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar me Kryesuesin e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Menendez.
Ky i fundit i mbajti të zënë me pyetje e nënpyetje, që në veçanti ishin të atilla që edhe vetë qytetarët e Kosovës i shtrojnë në baza ditore.
Rëndom, një konfrontim i tillë, prodhon qartësitë e nevojshme; dhe tema vendoset mbi një dritë krejt tjetër.
Menendez ju hyri me rend dilemave të cilave janë provuar të mbesin nën volumin e dëgjueshmërisë
Pse Vuçiqi s’e nënshkroi marrëveshjen? Pse Vuçiqi thotë se nuk e ka to domosdoshme ta zbatojë marrëveshjen? Pse Vuçiqi e shkeli marrëveshjen? Cilat janë garancat që Asociacioni s’na del një tjetër entitet si Republika Srpska? Çka për shqiptarët e Luginës të diskriminuar sistematikisht nga shteti serb? Çka po bën ShBA për pesë shtetet mosnjohëse të BE’së? E të tjera.
Këto pyetje, të shtruara me saktësinë e formulimit të një senatori amerikan, natyrisht të japin një dimension të ri e të përforcuar të kurreshtjes.
Dy diplomatët këtu i përvjelën mëngët. Megjithatë, jo rrallëherë ajo çka s’thuhet të thotë më shumë se ajo që thuhet. Dhe këtu janë dy gjëra që diplomatotë NUK I THANË.
Ndryshe nga javë më parë, nuk u tha që Serbia nuk e ka shkelur marrëveshjen.
Pyetja e Menendez në fakt nuk ishte pyetje. Ishte konstatim. “Kemi parë”, tha Mendendez, “që Serbia e ka shkelur marrëveshjen”.
“Që nga pranimi i marrëveshjes kemi pasur rezultate të përziera; nisur nga refuzimi i Vuçiqit për ta nënshkruar marrëveshjen. Ne kemi parë që Serbia ka shkelur marrëveshjen duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe duke nxitur bojkot të zgjedhjeve në veri të Kosovës nga serbët etnikë. Si mund të presim që Serbia ta zbatojë marrëveshjen kur Vuçiqi refuzon ta vë emrin mbi të?”, i pyeti Menendez dy diplomatët”, pyeti Menendez.

Derek Chollet, megjithatë, tha se pavarësisht mosnënshkrimit marrëveshja është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme.
“Këtë ia kemi thënë Presindetit Vuçiq dhe ai kurrë s’e ka mohuar”, tha Chollet ku edhe menjëherë u ndërpre nga Menendez me një nënpyetje.
“Ai mbase nuk e mohon, por nuk po mendon që është e domosdoshme të zbatohet; e kjo është ekuivalenti!”, vërejti Menendez.
Këtu Chollet, megjithatë, tha se në fakt, asnjëra prej palëve nuk është se po shquhen në zbatim të marrëveshjes.
“Epo, nëse mundem zoti Kryesues, nuk është që po shohim shumë zbatim nga asnjëra palë. Kjo është diçka që kolegu im zoti Escobar ka qenë shumë i fokusuar. Kemi bërë diplomaci intenzive që të marrin të dyja palët që të jetësojnë marrëveshjen”, ia ktheu Chollet.
Pse është e rëndishme? Kjo sepse para dy javësh emisari amerikan Gabriel Escobar në një konferencë online me gazetarë, tha një krejtësisht tjetër pyetur për shkeljen e marrëveshjes nga Serbia. Dhe kjo ditën e nesërme nga takimi i 2 majit në Bruksel.
“E po, shihni, kësaj pyetje do t’i drejtohem në dy pjesë. Një, nuk jam shumë i sigurt që ajo (kundërshtimi i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës) ishte shkelje (...) Tash, sepse procesi i zbatimit nuk ishte nënvizuar asokohe kur ndodhi votimi. Nuk jam shumë i sigurt që sekuencimi ia kërëkonte Serbisë të mos e bllokonte (Kosovën)”, pati thënë Escobar më 3 maj.
Menendez, pati pyetje specifike edhe për Gabriel Escobar-in. Edhe para një viti, tha Menendez, ta kam shtruar pyetjen e njëjtë, por se nuk kam marrë përgjigje të kënaqshme.
“Shqetësimet se ky Asociacion do të shkel Kushtetutën. ShBA dhe BE vazhdojnë të shtyjnë për krijimin e Asociacionit. Ju kam pyetur para një viti, dhe unë personalisht përgjigje të kënaqshme nuk kam marrë. A mund të na thoni se çfarë do të garantonte që një Asociacion i tillë nuk do bëhej një entitet obstruktiv (pengues) si Republika Srpska në Bosnje. Dhe a keni eksploruar për një model Asociacioni që i shkon për shtati Kushtetutës së Kosovës”, pyeti Menendez.

Escobar, këtu u shpreh se ShBA absolutisht qëndron në atë se një aranzhim i tillë komunash çfarë synohet, synohet që në plotni të jetë brenda kushtetutës dhe strukturës ligjore të Kosovës.
“Do të jetë model evropian, dhe në asnjë nga ata modele evropian një shtet tjetër nuk mund të shtrihet brenda territorit të një fqinji të saj dhe t’ia çalojë kushtetutshmërinë ose strukturën ligjore”, u përgjigj Escobar.
E çka nuk tha? Nuk tha që ShBA do të kërkojë mesin e dy vizioneve, siç tha në konferencën me gazetarë më 3 maj. Dhe nuk tha që Asociacioni është parakusht për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes.
“Shikoni, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë shumë të përqendruara për t'u siguruar që kjo marrëveshje, për të cilën kemi punuar shumë, të bëhet realitet. Dhe ky realitet vjen përmes - fillon me Asociacionin. Kjo – që normalizimi përqendrohet në të drejtat e pakicave, veçanërisht të pakicaës serbe, në Kosovë. Pra, është absolutisht kritike. Pra, është pritshmëria jonë dhe unë do të thoja se është kërkesa jonë që të ecim përpara në këtë”, pati thënë ai më 3 maj/Nacionale/