Errësohet peizazhi makroekonomik: FMN-ja me një ndër raportet më të zymta të viteve të fundit - NACIONALE

Errësohet peizazhi makroekonomik: FMN-ja me një ndër raportet më të zymta të viteve të fundit

3 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Ekonomia e Kosovës po përballet njëkohësisht me ngadalësim të rritjes dhe me përshkallëzim të inflacionit, sipas vlerësimit të ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar që vjen me tone jashtëzakonisht të zymta për vendin.

Në raportin e konsultimit vjetor, FMN-ja konstaton se "aktiviteti ekonomik është ngadalësuar, ndërsa presionet inflacioniste janë intensifikuar", duke ia atribuuar këtë gjendje një viti të tërë bllokade politike.

Rritja reale e ekonomisë ra në 3.6 për qind në vitin 2025, nga 4.6 për qind sa ishte një vit më parë, ndërsa për vitin 2026 parashihet të zbresë edhe më poshtë, në vetëm 3.3 për qind. Sipas raportit, frenimi i rritjes ekonomike lidhet me eksportet neto më të dobëta dhe me kërkesën private më të zbutur, ndërkohë që një pjesë e barrës është mbajtur artificialisht nga konsumi dhe investimet publike.

Kjo shifër jo vetëm që mbeti nën projeksionet e institucioneve ndërkombëtare (Banka Botërore kishte projektuar 3.8 për qind, ndërsa vetë FMN-ja rreth 4.0 për qind), por e rendit vitin 2025 ndër performancat më të dobëta të dhjetëvjeçarit. Në këtë periudhë, vetëm viti 2018, me rritje prej 3.4 për qind, paraqitet më keq, nëse përjashtojmë vitin pandemik 2020. Trajektorja është e qartë: rritja po bie, dhe askush nuk po ofron zgjidhje bindëse.

Në të njëjtën kohë, inflacioni mbetet ndër sfidat më serioze me të cilat përballet ekonomia. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit arriti 6.0 për qind në shkurt të vitit 2026, duke vijuar një përshkallëzim të pandërprerë: nga 4.7 për qind në shtatorin e vitit të kaluar, në 5.8 për qind në janar, e deri në nivelin aktual.

FMN-ja parashikon që inflacioni të qëndrojë i lartë përgjatë gjithë vitit, ndërsa kthimi gradual drejt objektivit 2 për qind të Bankës Qendrore Evropiane pritet vetëm rreth mesit të vitit 2028.

Po aq shqetësuese paraqitet edhe situtuata me sektorin e jashtëm. Deficiti i llogarisë korrente u zgjerua në 9.2 për qind të BPV-së në vitin 2025, nga 8.4 për qind një vit më herët, kryesisht si rezultat i importeve më të larta të energjisë dhe ushqimit. FMN-ja paralajmëron se ky hendek do të thellohet edhe gjatë vitit 2026, ndër të tjera edhe për shkak të ndërprerjes së përkohshme të një termocentrali me qymyr për rehabilitim dhe instalim filtrash.

Pika më e rëndë e raportit, megjithatë, mbetet paralajmërimi për atë që mund të vijë. FMN-ja shkruan qartë: "rreziqet për perspektivën anojnë kah ana negative". Në mesin e tyre renditen konfliktet rajonale, tensionet në tregtinë globale, luhatjet e çmimeve të mallrave bazë, si dhe paqartësitë politike të brendshme, përfshirë ato që lidhen me zgjedhjen e presidentit të ri. Bordi Ekzekutiv kërkon rikalibrim të menjëhershëm të politikës fiskale, frenim të shpenzimeve korrente, investime publike më cilësore, mbikëqyrje më të fortë financiare dhe reforma strukturore më të thella, nga energjia te tregu i punës, nga informaliteti te shpenzimet sociale.

Lajme të ngjashme