Rritja ekonomike e 2025-ës, më e ulëta që nga viti 2018 - NACIONALE

Rritja ekonomike e 2025-ës, më e ulëta që nga viti 2018

5 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Nga fasada e një “historie suksesi”, e ndërtuar mbi përzgjedhjen selektive të grafikëve dhe statistikave, te realiteti i zymtë që del në pah kur analizojmë ecurinë ekonomike të Kosovës në një kornizë serioze krahasuese. Viti 2025 rezulton të jetë ndër vitet më të dobëta të dekadës së fundit për sa i përket rritjes reale ekonomike.

Sipas serisë tremujorshe të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ekonomia u rrit me rreth 3.6 për qind në vitin 2025.

Kjo shifër jo vetëm që mbeti nën projeksionet e institucioneve ndërkombëtare — Banka Botërore kishte projektuar 3.8 për qind, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar rreth 4.0 për qind — por e rendit vitin 2025 ndër performancat më të dobëta të dhjetëvjeçarit.

Në këtë periudhë, vetëm viti 2018, me 3.4 për qind, paraqitet më dobët, nëse përjashtojmë vitin pandemik.

Shifrat e vitit 2025 e godasin seriozisht narrativën triumfaliste që qeveria Kurti ka ndërtuar prej vitesh rreth performancës ekonomike.

Ndonëse gjatë vitit të kaluar, qeveria Kurti i kishte të kufizuara kompetencat, Kurti dhe ministrat e tij vazhduan t’i ushtronin funksionet me pothuajse kompetenca të plota, duke shpërndarë miliona euro në prag të zgjedhjeve, në fund të vitit.

Në thelb të këtij diskursi qëndron përdorimi selektiv i treguesve, ku një term është shndërruar në boshtin e komunikimit publik: “mesatarja”. Kryeministri Kurti ka përsëritur vazhdimisht pretendimin pë rritje ekonomike “mesatarisht rreth 6%” dhe “asnjëherë nën 4 për qind“.

Por po të izolohet viti 2021 — vit në të cilin Qeveria Kurti II e nisi udhëheqjen me ekzekutivit pothuajse në mesin e vitit — realiteti i rritjeve ndryshon ndjeshëm krahasuar me vitet para pandemike.

Në periudhën 2022–2025, rritja ekonomike ka qenë: 4.3 për qind, 4.1 për qind, 4.6 për qind dhe, së fundmi, 3.6 për qind. Mesatarja e këtij katërvjeçari zbret në rreth 4.15 për qind. Ajo që na mbetet është një ekonomi e vendit që po rritet më ngadalë se pothuajse çdo vit i pesëvjeçarit para pandemisë, me përjashtim të vitit 2018.

Në periudhën para pandemisë, 2012–2019, Kosova kishte vite të njëpasnjëshme me rritje reale mes 4 dhe 5 për qind, madje disa prej tyre mbi 4.5 për qind. Pas vitit 2022, ritmi asnjherë nuk ka prekur 5 përqindëshin.

Në raport me qeveritë e mëparshme, trajektorja e rritjes ekonomike është zbehur ndjeshëm. Edhe nëse viti 2025 sjell “rritjen më të lartë në rajon”, kjo do të ndodhë në një vit të dobët për gjithë Ballkanin.

Lajme të ngjashme