Erdogani flet prapë me Putinin, ia përmend ndaljen e menjëhershme të luftës
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, raportohet se ia ka përçuar përmes telefonit homologut rus, Vladimir Putin, nevojën për ndërprerje të menjëhershme të konfliktit në Ukrainë.
Drejtoria Turke e Komunikimeve tha përmes një deklarate të shtunën se Erdogani ia përçoi Putinit “rëndësinë që Turqia ia vë ndërprerjes së menjëhershme të konfliktit Rusi – Ukrainë përmes bisedimeve”, raporton agjencia “Anadolu”.
Ai gjithashtu e falënderoi Putinin për, siç thuhet, “qëndrimin pozitiv” për zgjatjen e afatit të marrëveshjes për eksportimin e drithërave nëpër Detin e Zi.
Turqia, Ukraina, Rusia dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje në Stamboll në korrik të vitit të kaluar për rinisjen e eksportimit të drithërave nga tri porte ukrainase, të cilat ishin bllokuar pas fillimit të luftës në shkurt.
Afati i marrëveshjes u zgjat për herë të dytë javën e kaluar për 120 ditë shtesë, pak para se marrëveshja të skadonte.
Në deklaratën e autoriteteve turke thuhet se Erdogani e Putini diskutuan edhe për hapat për fuqizimin e marrëdhënieve Turqi – Rusi.
Presidenti turk tha se të dyja vendet “mund të bëjnë hapa të mëtejme duke u bazuar në bashkëpunimin ekonomik për të cilin është arritur pajtim në Sochi”, duke iu referuar takimit të dy udhëheqësve në qytetin rus në gusht.
Gjatë atij takimi, Erdogani dhe Putini ishin pajtuar që ta rrisin vëllimin e shkëmbimit tregtar në 100 miliardë dollarë dhe të bëjnë hapa konkretë për ta fuqizuar bashkëpunimin në fushat e energjisë, tregtisë dhe ekonomisë.
Erdogani kishte thënë se dy udhëheqësit kishin arritur marrëveshje për ta përdorur rublën ruse për tregti dhe kishin nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për lidhjet dypalëshe ekonomike e tregtare.

