Erdhi 2023-shi, çka na pret? - NACIONALE

Erdhi 2023-shi, çka na pret?

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

00:00. 1 janar 2023. Një tjetër vit kalendarik, në të cilin veçse kemi hyrë, e për të cilin shpresojmë të na sjellë lajme të mira. Megjithatë, si zakonisht, pritet “përballje” e zjarrtë me disa prej sektorëve. Kuptohet, prej më të rëndësishmëve, ekonomia.

Dinamika e ulët e realizimit të projekteve kapitale, ngadalësimi i rritjes ekonomike të vendit, inflacioni i cili gjatë vitit 2022 preku nivelet më të larta në dekada.

Kosova ka pësuar një ngadalësim të vazhdueshëm të rritjes ekonomike gjatë vitit 2022. Sipas Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore të Kosovës, rritja reale ekonomike e Kosovës gjatë vitit 2022 pritet të mbetet ndërmjet 2 dhe 3 për qind, që përbën një ngadalësim drastik krahasuar me vitin 2021, i cili përfundoi me rritje ekonomike mbi 10 për qind.

Sipas ASK-së, aktiviteti ekonomik në Kosovë ka shënuar rritje reale prej 2.07 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2022. Në anën tjetër, parashikimet e Bankës Qendrore sugjerojnë rritje reale ekonomike prej 2.9 për qind.

Pandemia COVID-19 dhe lufta e Rusisë në Ukrainë ka bërë që shumë vende me të ardhura të ulëta të përballen me vështirësi ekonomike. Duke qenë se Kosova varet shumë nga importi, padyshim që fjala kyçe në temat që ndërlidhen me krizën ekonomike përgjatë vitit 2022 ka qenë inflacioni.

Siç shkruan Fondi Monetar Ndërkombëtar, që nga viti 2021, inflacioni është rritur më shpejtësi. Në vitin 2022, inflacioni në ekonomitë e zhvilluara arriti normën më të lartë që nga viti 1982, ndërsa në vendet në zhvillim arriti në nivele rekorde.

Mes vendeve që thyen rekorde të dekadave ishte edhe Kosova me inflacionin që preku kulmin në mesin e vitit 2022 duke arrit në 14,2 për qind. Kjo shkallë kaq e lartë e inflacionit mund të krahasohet vetëm me krizën globale të vitit 2002.

Dinamikat që karakterizuan aktivitetin e përgjithshëm ekonomik gjatë gjithë vitit 2022 vlerësohet të kenë vazhduar edhe në pjesën e mbetur të vitit 2022, si rrjedhojë nuk pritet ndonjë ndryshim pozitiv edhe vitin 2023.

Në raportin e tundit të “Vlerësimit Tremujor të Ekonomisë” të publikuar nga Banka Qendrore, vlerësohet se presionet inflacioniste globale pritet të vazhdojnë të diktojnë çmimet në Kosovë marrë parasysh faktin që shporta e konsumatorit ndikohet direkt nga importi.

“Presionet inflacioniste globale vazhdojnë të diktojnë edhe çmimet në Kosovë, me rrezik amplifikimi kur kemi parasysh ndjeshmërinë që ka ekonomia e vendit si pasojë e koncentrimit të lartë të komponentës së ushqimit dhe energjisë në shportën konsumatore (rreth 55.5përqind) dhe shkallës së lartë të importit.” – thuhet në raportin e BQK-së.

Marrëveshja me Serbinë

Pritet të jetë një nga pikat kyçe, njëherit më të vështira.

Barrikadat e vendosura me 10 dhjetor e që u hoqën vetëm pak ditë para natës së ndërrimit të motmoteve, sollën një zhvillim të ri sa i përket politikës.

Qarqet ndërkombëtare kërkojnë vazhdimisht një takim të ri të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel.

Datë edhe më tutje nuk ka, megjithatë një gjë e tillë pritet të ndodhë shumë shpejt.

Por, në anën tjetër, duhet përmendur faktin se zhvillimet e muajit të fundit të vitit, mund ta kenë ndryshuar dinamikën e zhvillimeve sa i përket asaj marrëveshjeje finale, që parashihej të ndodhte në Mars të 2023-ës.

Shëndetësia

Një nga sektorët më të rëndësishëm e më vështirë të menaxhueshëm.

Pas afër 80 ditësh, Arben Vitia mori drejtimin e ministrisë të cilën në prag të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar e "tradhtoi", duke u dorëhequr, për të garuar në Prishtinë.

Aty e humbi garën, ndërsa tani është rikthyer, me synimin e vetëm që ta vëjë në binarë.

Por, çështja me të cilën do të përballet Vitia padyshim është ikja e mjekëve, infermierëve dhe anesteziologëve.

Për këtë gjë, Nacionale ka raportuar vazhdimisht në vitin që tashmë e lëmë pas, kurse shpresojmë që të ketë rezultate në këtë që veçse kemi hyrë.

Lajme të ngjashme