Enver Hoxhaj: Nenin 7 e kemi pasur në tavolinë edhe në negociatat e Vjenës por e kemi hedhur poshtë
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka folur më gjerësisht në lidhje me propozimin evropian duke dhënë disa vërejtje mjaft interesante.
“Paragrafi “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” e barazon vikimën me agresorin, i referohet edhe Kosovës edhe Serbisë.” – u shpreh mes tjerash z. Hoxhaj, duke folur për propozimin evropian.
Ai po ashtu kontestoi se ishte arritja njohja e pasaportave dhe dokumenteve tjera duke e përmendur se edhe Sllovakia i njihte Kosovës një gjë të tillë.
Ish-ministri i Jashtëm po ashtu u shpreh se pika 4, që kërkon që Serbia të mos e pengojë Kosovën, do të kishte kuptim vetëm nëse marrëveshja do të ratifikohej në Kuvendin e Serbisë.
Po ashtu, Hoxhaj kërkoi një listë të organizatave ku do të pranohej Kosova.
Po ashtu, Hoxhaj përmendi edhe nenin 7 duke pretenduar se e kishin pasur në tavolinë edhe në negociatat e Vjenës.
“Prandaj, do të ishte jetike që kryeministri Kurti të bisedojë me vendet mos-njohëse se a do ta njohin pavarësinë e Kosovës në mënyrë kolektive. Shqetësimin kryesor që e kemi pasë gjatë debatit të sotëm ka të bëjë me nenin e 7. Unë kam qenë në negociata në Vjenë. E kemi pasë edhe në Vjenë këtë paragraf, por e kemi hedhë poshtë.”
Në pjesën vijuese të fjalimit, z. Hoxhaj nënkuptoi se Kurti ishte i padijshëm.
"Dija duhet të jetë funksionale. Unë e kam përshtypjen se Kurti ka dije të anekdotave. Dije për fjalëkryq!" - tha ai.