Enver Hasani: Me 7 pikat e tij, Vuçiq synon izolimin dhe armiqësimin e mëtejmë të Kosovës me perëndimin
Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka komentuar konferencën për media të javës së kaluar nga presidenti serb.
Ai ka thënë se me 7 pikat e tij, Vuçiq synon izolimin e mëtejmë të Kosovës.
“Plani është skicuar në atë mënyrë që, do t’i veçoja dy qëllime, qëllimi i parë është ai brendshëm dhe bëhet për publikun e brendshëm serb, për të qetësuar votuesit e tij atje simpatizantët e tij atje dhe në Kosovë, për të thënë se ja qeveria dhe shteti serb diçka është duke bërë” ka thënë Hasani në EuroNews Albania.
“Ai është më i rrezikshëm për shkak se synon acarimin dhe prishjen e mëtejme të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, izolimin e mëtejmë. Disa pika të tij janë zotime që Kosova i ka marrë në Bruksel dhe në Ohër dhe dihet natyra e tyre, kurse tjerat janë fiktive ta zëmë zonë e posaçme sociale, kthimi i status quo ante. Edhe pse ka pasë shkrime edhe këtu prej shqiptarëve që në të njëjtën ditë kanë kërkuar kthimin e status quo ante dhe anulimin e veprimeve tjera që janë marrë në 2-3 vitet e fundit pastaj formimi i gjyqeve e prokurorive të veçanta etj. Këto janë të parealizueshme dhe janë fitkive që bëhen për të krijuar mjegull në opinionin e tij” ka thënë ai.
“Në Perëndim thonë ‘nuk ka taksa pa përfaqësim’, për anulimin e përfaqësimit nuk të kupton kërkush fare. Ne shqiptarët i kemi fitu simpatitë në kohën e pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, pikërisht se serbët na e mohonin neve të drejtën e përfaqësimit politik. Përfaqësimi i serbëve në veri është zero” ka thënë Hasani.