“Ëndrrat” e çuditshme: Kurti fol për zhdukjen e opozitës, Bislimi për ta ulur LDK-në nën 10 për qind - NACIONALE

“Ëndrrat” e çuditshme: Kurti fol për zhdukjen e opozitës, Bislimi për ta ulur LDK-në nën 10 për qind

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti dhe Besnik Bislimi janë numri një dhe dy në Qeverinë e Kosovës. Krahas funksioneve të larta, Kurti e Bislimi kanë edhe një gjë të përbashkët. Të dy, pra Kurti e Bislimi, “ëndërrojnë” fitimin e zgjedhjeve në mënyrë “plebishitare”. Më saktë, dyshja qeveritare kanë dëshirë që opozita të jetë sa më e vogël, gati krejtësisht e zhdukur.

Në fakt, kohë më parë, kryeministri Kurti kishte folur për mundësinë e zhdukjes së opozitës në zgjedhjet e ardhshme. Gjatë një konference në objektin e Qeverisë, Kurti ishte tallur me kërkesën e opozitës për dorëheqjen e tij.

Atëbotë Kurti kishte teoritizuar se zgjedhjet e parakohshme për arsye të ndryshme nuk i kenvenojnë as pushtetit, as opozitës. Sipas Kurtit, që është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në zgjedhjet e parakohshme opozita do të zhdukej.

“Opozita herë kërkon dorëheqjen time, herë kërkon shkarkimin tim e herë kërkon zgjedhje të parakohshme. Më lejoni t’ju them që zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse i humbë e qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita”, kishte theksuar Kurti.

Madje, shefi i ezkekutivit ishte treguar edhe cinik, duke shtuar se nuk dëshiron zhdukjen e opozitës, por vetëm mundjen e saj në zgjedhje.

“Unë jam i interesuar që ta mundim në zgjedhje opozitën, por jo ta zhdukim”, kishte shtuar Kurti.

Një “ëndër” pak a shumë të ngjashme e ka edhe Bislimi, dyshi i Qeverisë Kurti. Gjatë raportimit në komisionin për integrime evropiane të Kuvendit të Kosovës, Bislimi foli për zgjedhjet e ardhshme. Për dallim nga Kurti, Bislimi foli vetëm për targetin e tij kundrejt LDK-së, me shumë gjasë për shkak se po debatonte me Rrezarta Krasniqin, deputete e LDK-së.

Bislimi deklaroi se ai e ka për target të dërgojë LDK-në nën 10 për qind.

“Prapë po them në qoftëse doni me vendos temën e rendit të ditës si ka ardhur Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, mendoj se mund të diskutojmë edhe për këtë meqë kam qenë shef i fushatës zgjedhore. Edhe pastaj mund t’ju informoj se cila ka qenë strategjia me ju pru juve aty ku ju kemi sjell dhe me pru veten aty ku e kemi pru” – deklaroi ai.

“Prapë do jem shef i shtabit, por tash targetin e kam në një shifror me ju pru” – shtoi Bislimi.

Sjellim ndërmend që Nacionale ka raportuar edhe më parë në lidhje me arrogancën e numrave nga ana e VV-së. Madje, në shumë raste, Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, por edhe figura të tjera të VV-së kanë folur për "garën e ashpër për vend të dytë", si një mburrje se VV-ja është fituese tashmë e ditur e zgjedhjeve të ardhshme.

“Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, sondazhet janë, opinioni po hulumtohet vazhdimisht edhe prej organizatave, edhe prej partive që po i porosisin këto sondazhe. Rezultatet janë të qarta, unë mendoj që gara ka me qenë një garë e ashpër për numrin dy në skenën politike të Kosovës” – deklaroi ditë më parë Konjufca, që është, në fakt, një kopjim i narrativës së Kurtit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

Lajme të ngjashme