“Garë e ashpër për vend të dytë”: VV-ja arrogante, Konjufca dhe deputetët e kopjojnë Kurtin - NACIONALE

“Garë e ashpër për vend të dytë”: VV-ja arrogante, Konjufca dhe deputetët e kopjojnë Kurtin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje shpesh është kritikuar për uniformim të mendimit dhe rreshtim ushtarak prapa liderit Albin Kurti. Ditëve të fundit, kjo përshtypje fillestare është duke u përforcuar. Deputetët e VV-së, përfshirë vetë Glauk Konjufcën, po kopjojnë një thënie të Kurtit, duke u treguar arrogantë ndaj opozitës.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, Kurti ishte deklaruar kundër një debati me kundërkandidatët e tij atëbotë, duke u fshehur pas arsyetimit se “gara është e ashpër për vendin e dytë” dhe se “fituesi i këtyre zgjedhjeve dihet”.

“Ju njëmend mendoni që unë kam kundërkandidat? Ka një garë të ashpër për vendin e dytë. Fituesi i këtyre zgjedhjeve dihet se kush është. Ne synojmë të kemi 60 deputetë e sipër, prandaj edhe po angazhohemi në fushatë. Nuk jam unë në fushatë për kush do të jetë në vendin e parë, sepse tashmë ajo dihet… Ata janë në garë për vendin e dytë, gara është e ashpër, të shohim se si po ju shkon. S’kanë punë ata as me mua, as me presidenten (Vjosa Osmani v.j.)” – deklaroi Kurti më 29 janar të vitit 2021.

Tre vjet më vonë, ky deklarim i Kurtit është kthyer në një “himn” jozyrtar arrogance në mesin e eksponentëve të VV-së. Në mënyrë gati të automatizuar, ata po e përdorin këtë ironi të moçme të Kurtit, duke shpërfaqur një vetëpëlqim mbi gjendjen elektorale të VV-së dhe përçmim për opozitën.

Hiç më larg se dje këtë linjë të argumentimit cinik e shfrytëzoi Glauk Konjufca, nënkryetar i parë i VV-së. Vartësi i Kurtit, pra Konjufca, e kopjoi tërësish idenë e shefit të tij në parti.

“Koalicionet kanë ndodhur e ndodhin edhe tash. S’është befasi. Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me Nismën. Po ndodh sërish. Vetëm u uroj suksese. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, sondazhet janë, opinioni po hulumtohet vazhdimisht edhe prej organizatave, edhe prej partive që po i porosisin këto sondazhe. Rezultatet janë të qarta, unë mendoj që gara ka me qenë një garë e ashpër për numrin dy në skenën politike të Kosovës” – deklaroi dje Konjufca, raporton Nacionale.

Edhe disa deputetë të tjerë të VV-së e kanë kopjuar Kurtin, përfshirë deputetin Mefail Bajqinovci, i cili duket se tenton ta kopjojë edhe gjestikulacionin autentik të Konjufcës. Në një intervistë për "Kanal 10", Bajqinovci fliste me pauza e me duar të “hapareshta”, bash sikurse Konjufca.

“Unë besoj që do ta kemi një rezultat solid dhe nuk do të ketë nevojë për koalicion….Këtu nuk bëhet diskutim më për vendin e parë dhe kush do t’i fitojë zgjedhjet. Lufta është për vendin e dytë. Krejt lufta po bëhet a do të jetë PDK-ja a LDK-ja e dyta.” – deklaroi ai.

Edhe deputetja tjetër e VV-së, Arjeta Fejza, beson se gara është e ashpër për vendin e dytë.

“Unë konsideroj që rezultati i zgjedhjeve është i pakontestueshëm. Kemi pasur edhe sondazhe të cilat e dëshmojnë këtë. Mirëpo i kam dilemat e mia nëse vërtetë opozita e ka seriozisht këtë inciativën e tyre për zgjedhje…” – tha ajo në "Tëvë 1", ndërsa moderatorja i shtroi një pyetje.

“Do të ketë garë për vendin e dytë, siç tha zoti Konjufca?” – ishte pyetja e moderatores së televizionit "Tëvë 1".

“Absolutisht për vendin e dytë” – ishte përgjigja e rrufeshme e Fejzës së VV-së ditë më parë.

Lajme të ngjashme