Ende s'ka datë për takimin e ardhshëm Kurti - Vuçiq, ky i fundit u jep hapësirë vartësve ta refuzojnë BE-në
Ende nuk ka datë për takimin e ardhshëm Kurti - Vuçiq, ani pse i njëjti u paralajmërua për në muajin tetor.
Palët, për herë të fundit dialoguan me 18 gusht, datë kjo në të cilën nuk u regjistrua asnjë marrëveshje, por që i parapriu takimeve të tjera e zbarkimeve të evropianëve në Kosovë e Serbi, ku më pas, saktësisht me datën 27, Borrell kishte konfirmuar arritjen e marrëveshjes.
“Ne kemi një marrëveshje. Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i urojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”, shkruante atëbotë në Twitter Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së.
Gatishmërinë për dialog e konfirmoi vet kryeministri Kurti në një paraqitje para gazetarëve në fshatin Miresh të Gjilanit, gjatë një aktiviteti bujqësor, ku kishte shkuar për vizitë te fermerët e asaj ane bashkë me ministrin e bujqësisë, Faton Peci.
"Kur të na thërrasin jemi të gatshëm, po në ndërkohë na duhet të vimë te arat që punohen, në çerdhet që inaugurohen, a kupton, jeta vazhdon. Në bisedimet me Lajçak, gjithmonë i kemi dy tema kryesore, e para është korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe e dyta është çështjet aktuale", kishte thënë ndër të tjerash Kurti.
Vartësit e Vuçiqit
Është interesant fakti se sa herë që jemi në momente të tilla, pra të afërta për të dialoguar, në Serbi fillon një fushatë anti-BE.
Përderisa ditë më parë qarkulloi lajmi se Vuçiq mund të japë dorëheqje shkaku i Kosovës, tani një nga vartësit kryesorë të tij, Vulin ka thënë se Serbia nuk ka vend në BE.
Këto deklarime ai i bëri gjatë një paraqitje për media, ndërsa siç citon nova.rs, Vulin ka thënë se shteti që ai përfaqëson nuk ka vend në BE.
“Çështja nuk është nëse ne duam të anëtarësohemi në BE, pyetja është nëse BE-ja do Serbinë. Duke gjykuar nga shantazhi i çmendur që po na ekspozojnë për të njohur Kosovën, për të shfuqizuar Republikën Srpska dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ata nuk na duan”, transmetohet të ketë thënë Vulin.
Zhvillimet franko-gjermane
Që nga emërimi i këshilltarëve të dyshes Macron - Scholtz, gjërat kanë filluar të lëvizin më shpejt se zakonisht.
Fjala është për kërkesat e ndërkombëtarëve që palët të marrin vendime të vështira në të mirë të qytetarëve dhe të ardhmes së tyre euro-atlantike.
Krerët e shtetit, Vjosa Osmani e Albin Kurti gjithashtu e kanë pranuar faktin se ekziston një dokument i përbashkët për një kornizë marrëveshjeje.
Përderisa presidentja falënderoi Francën e Gjermaninë për angazhimin e tyre për fund të dialogut, kryeministri u tregua pak më i fshehur, duke thënë se nuk mund të publikojë diçka që është në gjendje të ngurtë, pa u kthyer fillimisht në atë të lëngshme.
“Çdo iniciativë e partnerëve tanë është serioze. Iniciativa është që të intensifikohet procesi i dialogut dhe natyrisht që si Franca, si Gjermania kanë qenë historikisht partnerë aleatë dhe mbështetës të Republikës së Kosovës”, ishte deklaruar Osmani para mediave, ndërsa ishte pjesë e një evenimenti kulturor.
“Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj, pas ngurtësimit vjen publikimi”, tha Kurti.
