"Emëruesi i përbashkët": Gazetari slloven e përmendi edhe ish-fotografin e Kurtit - NACIONALE

"Emëruesi i përbashkët": Gazetari slloven e përmendi edhe ish-fotografin e Kurtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në raportimin e fundit ku dyshohej për financim të paligjshëm të fushatës me para të energjisë, emri i Albin Kurtit ndodhej fare pranë emrit të një aktivisteje sllovene të panjohur në Kosovë. Dhe, gazetari slloven ka bërë një lidhje mes të dyve për herë të parë në një intervistë gjatë ditës së sotme.

Kjo lidhje e përmendur është ish-fotografi amerikano-indian i bërë i famshëm edhe në Kosovë i fushatave të Albin Kurtit, Arun Chaudhary.

Chaudhary përmes postimesh në rrjete sociale mund të shihet fare lehtë nën shoqërimin e aktivistes së lartpërmendur, Nika Kovaqit.

Ai kishte kontribuuar për OJQ-në e themeluar nga kjo aktiviste, 8 marsi, në disa prej agjendave të saj që i kishte çuar përpara. Por, jo para se ta ndihmonte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Lidhja me Albinin

Chaudhary i ka shërbyer Kurtit për një periudhë relativisht të gjatë. Madje, ai ishte edhe në vizitën e gjatë 18-ditore në ShBA gjatë majit të vitit 2022 me kryeministrin tonë. Meqë nuk ishte i listuar mes këshilltarëve të Kurtit, Kryeministrisë i ishte dashur ta përpilonte një arsyetim formal që fotografi që kishte punuar me Obamën të shkonte me të.

Nacionale i kishte kërkuar për muaj të tërë atë arsyetim Kryeministrisë, por nuk kishte marrë përgjigje. Madje, as pas kallëzimit që e kishte bërë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Chaudhary në Kosovë kishte krijuar edhe shoqëritë e tij me njerëzit e Vetëvendosjes. Një prej këtyre shoqërive më interesante ishte me këshilltarin financiar të ministrit Liburn Aliu, aktivistin Florent Ramqajn. Një punëtor i dajëve të këtij të fundit, në kompaninë ku kishte punuar vet Ramqaj, ishte zënë duke kërkuar ryshfet në një prej skandaleve që tronditën Kosovën më 2022.

Çka tha gazetari slloven për këtë gjë?

Në një intervistë të shkurtër për Kosovo-Online, gazetari slloven Lluka Persh që e kishte publikuar raportimin e fundit me të dhëna shqetësuese e përmendi me emër e mbiemër ish-fotografin e kryeministrit.

“Emëruesi i përbashkët në të gjithë historinë është një ish-anëtar i stafit të presidentit amerikan Barack Obama, Arun Chaudhary. Ai ndihmoi në fushatën e Albin Kurtit më 2021 dhe në fushatën e referendumit në Slloveni për Ligjin e Ujit. Iniciatori kryesor i referendumit ishte organizata joqeveritare 8 marsi. Drejtues qendror i 8 marsit ishte bursistja e fondacionit Obama, Nika Kovaq.” – u shpreh ai.

Nacionale ka kontaktuar edhe me aktivisten sllovene Nika Kovaq për pretendimet e bëra nga mediat sllovene por ajo nuk ka qenë e qasshme deri në këtë moment.

Lajme të ngjashme