Miqësia interesante e Florent Ramqajt me amerikano-indianin e fushatave, Arun Chaudharyn
Këshilltari financiar në Ministrinë e Infrastrukturës, Florent Ramqaj, që dikur kishte punuar në kompaninë e dajës së tij e cila u zu duke kërkuar ryshfet, duket se ka një miqësi interesante me strategjistin politik Arun Chaudhary.
Ish videografi i lartpërmendur që kishte punuar për Barack Obaman dhe më pas ishte përfshirë edhe në fushatën e Bernie Sanders ka qëndruar në Kosovë duke e ndihmuar kryeministrin Albin Kurti në periudha të caktuara përgjatë tri viteve të fundit.
Ajo që dihet është se z. Chaudhary ka qenë pjesë e fushatës së Kurtit për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, por edhe për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Ishte besuar që z. Chaudhary kishte punuar pa pagesë për Albin Kurtin, megjithëse nuk ka asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë çështje.

FOTO: Chaudhary duke përgatitur një videoklip për kryeministrin Kurti
Por, strategjistri amerikano-indian duket se në Kosovë ka pasur një miqësi të afërt me këshilltarin financiar në Ministrinë e Infrastrukturës, z. Florent Ramqaj – që ra në spikamën e opinionit publik javën e fundit.
Tri ditë para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, Ramqaj e kishte postuar një fotografi me z. Chaudhary dhe ku shkruante si vijon:
“Arun Chaudhary ka qenë pjesë e udhëheqjes së kampanjës së Barack Obamas kur ka fituar herën e parë në Amerikë. Tashmë Aruni ka ardhur në Kosovë që të jep kontributin e tij për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e të bëhet Albini kryeministrër i Kosovës.”

FOTO: Florent Ramqaj dhe Arun Chaudhary në një kafene
Po në këtë postim, z. Chaudhary i kishte uruar ditëlindjen z. Ramqaj.

Në një tjetër postim, ku Ramqaj duket derisa pi kafe me z. Arun Chaudhary shkruan si vijon: “Ai na ndihmojmë ta bëjmë Albinin (kryeministër), le ta ndihmojmë ne tash që ta bëjmë Bernien (president).”

FOTO: Chaudhary me Ramqajn para zyreve të partisë
Përveç fushatës së Berniet, z. Chaudhary kishte nisur të punonte edhe me Partinë e Punës në Holandë si këshilltar për fushatën e tyre që nuk rezultoi aq e suksesshme.
Në fund të vitit 2021, Chaudhary kishte bërë fushatë edhe për Arben Vitinë, kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës. Sidoqoftë, edhe kjo fushatë rezultoi të ishte e pasuksesshme.
Chaudhary vitin e kaluar kishte folur edhe për “Fushatën sipas stilit amerikan” e ku ishte shprehur se nuk kishte kurrfarë sekreti prapa amerikanizimit të fushatave përpos shpenzimit të shumë e shumë parave gjatë gjithë kohës.

FOTO: Brenda zyreve të VV-së, Ramqaj dhe Chaudhary

FOTO: Brenda zyreve të VV-së, Chaudhary dhe Ramqaj
Së fundi, Chaudhary ka bërë fushatë edhe për kryeministrin e ri të Sllovenisë, z. Robert Golob. Kujtojmë që në Slloveni shpërtheu skandali i madh me 600 mijë eurot e marra kesh nga një xhirollogari bankare prej ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.

FOTO: Chaudhary duke ndarë gëzimin e tij për fitoren e Golobit në zgjedhjet e 24 prillit
Berishaj vazhdon të qëndrojë i heshtur në lidhje me skandalin, derisa ka mohuar akuzat për shpëlarje parash. Sipas medieve sllovene, paratë e z. Berishaj ishin dorëzuar për fushatën e tij elektorale për zgjedhjet e 24 prillit.
Ndërkohë, më poshtë keni episodin e tretë të Ditarit të Buzhalës: