Elektorati i LDK-së nuk do bashkëpunim me VV-në: “Qysh me lidh koalicion me të pabesin?”
Këtë të diel, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit, me një risi kësaj radhe: Vjosa Osmani është bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Pavarësisht rezultatit, elektorati i kësaj partie shprehet kundër një koalicioni të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje (VV).
Gjatë kësaj jave, gazetarja e Nacionales, Besarta Hoti, qëndroi pranë një tubimi të LDK-së.
Ajo intervistoi disa qytetarë, duke i pyetur se çfarë mendojnë për një koalicion të mundshëm paszgjedhor mes LDK-së dhe VV-së.
Ata u shprehën kundër:
“Kurrë hiç. Unë jam kundër me bo koalicion me VV-në. VV-ja është partia më e keqe që ekziston në Kosovën tonë. Unë jam me LDK-në që 25 vjet, kurrë nuk e kam ndërru dhe deri në vdekje jam me LDK-në. Kurrë nuk isha shku me ta. Na kemi qenë me ta dhe brenda një muaji na kanë përjashtu. Janë të pabesë.”
Një votues tjetër i LDK-së tha se “me të pabesin nuk lidhet koalicion”.
“Kurrë nuk kisha pranu. Të pabesë janë. Me të pabesin qysh me lidh koalicion? Na kemi lidh koalicion para 5-6 vjetësh, menjëherë na e hoqën ministrin dhe u prish koalicioni.”
“Me marrëveshje mundemi, por më mirë do të ishte me qeverisë vetëm. Tek e fundit, nëse duhet, të bëhet koalicion, por me këto zgjedhje u bë e tepërt.”
Një votues tha se, nëse kjo ndodh, LDK-ja nuk do ta ketë më votën e tij.
“Asnjëherë, kurrë. Unë jam në LDK që nga viti 1989. Nëse ky e merr votën time dhe e çon te VV-ja, në zgjedhjet e ardhshme nuk ka nevojë me lyp më votë prej meje. E dimë kush e ka formuar shtetin. Ai që do me e shkatërru shtetin, e shkatërron. Merre shembull Isa Boletinin dhe Zoran Gjingjiqin, të njëjtën gjë, në të njëjtën shtyllë po i ngjet treguesi i rrugëve.”
Ndërkaq, një tjetër u shpreh:
“Jam kundër, sepse e kaluara nuk ka treguar një bashkëpunim të mirëfilltë dhe të bazuar në besim të ndërsjellë.”