Ekzekutimi i pagave me ligjin e ri, Ali Sefaj: Veç vitra
Kreu i Këshillit Grevist të Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj ka reaguar pas ekzekutimit të pagave me ligjin e ri.
Në një prononcim për Insajderin, Sefaj ka deklaruar se këto janë vetëm vitra, asgjë më tepër.
Sipas tij, mësimdhënësve nuk u janë ekzekutuar pagat siç u janë premtuar.
“Këto paga muj me i quajt thjeshtë Vitra, edhe bash asgjë më shumë se ashtu. Domethënë ne varësi prej pozicioneve rritja prej 20-30 euro deri në 60-të duhet të jetë diku 40 euro më e larta 80. Nuk mbërrin shuma tjera, tallje e madhe me administratën tonë”.
Kujtojmë ndërkaq se Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar një komunikatë të përbashkët me atë të Financave lidhur me çështjen e pagave për zyrtarët publikë.
Pas reagimeve të shumta, të dy ministritë kanë reaguar përmes rrjetit social "Facebook", duke thënë se sot do të disbursohen pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik Nr. 08/L-196, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023.
"Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët", shkruante ndër tjerash në njoftim.
