Eksperti britanik: Thaçi e Vuçiq po zhvillonin dialog interesant, humbi shansi për marrëveshje përfundimtare - NACIONALE

Eksperti britanik: Thaçi e Vuçiq po zhvillonin dialog interesant, humbi shansi për marrëveshje përfundimtare

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Në një intervistë për “European Western Balkans”, James Ker-Lindsay, ekspert i gjeopolitikës së Ballkanit Perëndimor, foli gjerësisht për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe opsionet që ai beson se janë ende të disponueshme për të ecur përpara. Eksperti i Ballkanit Perëndimor është treguar skeptik për projekt-marrëveshjet e propozuara nga ndërkombëtarët. Megjithatë, ai foli për një mundësi të artë, të humbur për Kosovën dhe Serbinë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare në kohën kur, siç e cilësoi ai, Thaçi dhe Vuçiq po zhvillonin një dialog “interesant”.

Sipas Ker-Lindsay, ndonëse ka propozime të reja të cilat synojnë normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ato shihen si "vështirë të ralizueshme".

"Tani dëgjojmë se ka propozime të reja në tryezë. Por nga ajo që është zbuluar deri më tani, nuk mendoj se janë të realizueshme. Në përgjithësi, mendoj se ka një mungesë reale të të menduarit imagjinativ se si të zgjidhet ky problem. Pra, 15 vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, dhe 10 vjet pas marrëveshjes së Brukselit, ne duhet të jemi shumë, shumë të zhgënjyer dhe të shqetësuar për mungesën e progresit." - cilësoi ai.

Sa i përket propozimeve aktuale si një zgjidhje të mundshme të kontesteve mes Kosovës dhe Serbisë, eksperti britanik tha se modele si ajo e dy gjermanive nuk mund të ketë sukses.

"Modeli i dy Gjermanive për të cilin po dëgjojmë, thjesht nuk e shoh se si funksionon kjo. Ky model do të bënte që Serbia të thoshte se pranon ta ketë Kosovën në Kombet e Bashkuara, por nuk do ta njohë atë. Sinqerisht, kjo nuk ka asnjë vlerë për Serbinë. Serbia do të ishte më mirë të pranonte pavarësinë e Kosovës sesa të pranonte një model që e sheh Kosovën të njohur nga pjesa tjetër e botës, përveç Serbisë. Kjo thjesht do ta bënte Serbinë të dukej shumë e imët dhe mjaft budallaqe." - ka thënë Ker-Lindsay.

Tutje, pyetur nga EWB se si e gjykon faktin që "Sondazhet tregojnë se publiku si në Serbi ashtu edhe në Kosovë është fuqishëm kundër të gjitha zgjidhjeve që shihen gjerësisht si realiste", eksperti britanik e quajti diçka të trishtuar për t'u parë pasi, sipas tij, "është humbur një mundësi e mirë për t'u arritur një marrëveshje përfundimtare".

Ai ka folur edhe për ndikimin rus si diçka që ka penguar vazhdimisht arritjen e një marrvëshje për normalizim.

"Kjo është gjëja e trishtuar; ne kemi humbur mundësinë për të provuar dhe për ta bërë këtë. Dhe me të vërtetë mendoj se rreth viteve 2012, 2013, ne ishim në një pozicion ku mund të kishim arritur një lloj marrëveshjeje përfundimtare. Aty ku jemi sot është shumë më e vështirë. Mendoj se ka një qëndrim të pakompromis në shumë pjesë të opinionit publik si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Por ne kemi parë gjithashtu se ka shumë aktorë të jashtëm që kanë qëndruar në rrugën e një marrëveshjeje. Si fillim, Rusia ka qenë absolutisht e vendosur për ta mbajtur këtë çështje të vluar në mënyrë që të ruajë ndikimin e saj mbi Serbinë. Por unë gjithashtu mendoj se aktorët perëndimorë kanë qenë thellësisht të padobishëm ndonjëherë." - ka thënë njohësi i Ballkanit Perëndimor.

Më tej Ker-Lindsay tha se një mundësi e mirë për marrëveshje iku në kohën kur Thaçi e Vuçiq po zhvillon një dialog të cilën ai e quajti "interesant".

"Mendoj se ka pasur një mundësi të humbur disa vite më parë kur pamë një dialog interesant që po zhvillohej mes Presidentit Vuçiq dhe Presidentit Thaçi. Mendoj se ishte për të ardhur keq që disa nga idetë që u hodhën në tryezë u mbyllën nga Berlini dhe Londra. E di që ka pasur zhgënjim në Beograd dhe Prishtinë për këtë – dhe me të drejtë." - pohoi ai.

Lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit, Ker-Lindsay, ndonëse pati kritika për politikën e jashtme amerikane gjatë administratës Trump, ai megjithatë tha se kishte disa lëvizje që çuan në eksplorimin e ideve të reja.

"Dhe unë mendoj se kishte gjithashtu zhgënjim në Uashington në atë kohë. Ashtu si të tjerët, nuk më pëlqeu fuqimisht shumë nga ato që përfaqësonte administrata Trump. Mendoj se i bëri shumë dëm Shteteve të Bashkuara në shumë fusha të politikës së jashtme, duke përfshirë edhe Ballkanin. Por ajo që më dukej interesante ishte se të paktën kishe një lloj lëvizjeje drejt eksplorimit të ideve të tjera. Trump bëri një rrëmujë të tmerrshme me marrëveshjet e SHBA në Ballkan. Por ishte e gatshme të mendonte pak më ndryshe. Imagjinoni se çfarë mund të kishte ndodhur nëse edhe Britania dhe Gjermania do të kishin qenë të gatshme ta bënin këtë." - tha ai.

James Ker-Lindsay është ekspert i çështjeve që kanë të bëjnë me konfliktin, paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe Mesdheun Lindor.

Lajme të ngjashme